18:12 / E Enjte, 20 Shkurt 2020

Aksident me 200 makina në Kanada

Policia kanadeze tha të mërkurën se për shkak të kushteve të rënduara atmosferike një aksident masiv me 200 makina të përfshira kishte ndodhur në jug të Montrealit. Deri tani nuk ka asnjë viktimë të shënuar, por rreth 12 vetë përfunduan në spital, një pjesë e tyre me dëmtime të rënda.

Zjarrfikësit thanë se dy vetë kishin mbetur të bllokuar në makinat e tyre të mërkurën pasdite ndërsa problem më i madh ishte kufizimi i karburantit të derdhur në rrugë, që rrezikonte të marrë flakë.

Aksidenti masiv ndodhi rreth gjysmë ore pas mesditës në autostradën 15. Ministri i Transporteve, Francois Bonnardel u tha gazetarëve që zona ku kishte ndodhur ishte goditur nga një erë e fortë që vinte nga lumi St. Lawrence aty pranë, duke krijuar kushte tejet të vështira atmosferike. Radha e mjeteve arriti deri në 1 kilometër.