09:51 / E Diele, 27 Tetor 2019 / indeksADMonline

Aksidenti me një të vdekur në Durrës, arrestohen 2 persona

Një ditë pas aksidentit të rëndë me një të vdekur në qytetin e Durrësit, policia ka arrestuar dy persona si shkaktar të dyshuar të ngjarjes së rëndë.

Burime zyrtare bënë me dije se në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor “Tiranë-Durrës”, si pasojë e të cilit humbi jetën një shtetas, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë zbardhja dhe  dokumentimi i plotë i ngjarjes si dhe  arrestimi në flagrancë i shtetasve: F. T., 54 vjeç, banues në Tiranë dhe P. T., 49 vjeç, banues në Krujë.

Arrestimi i tyre u bë për shkak se në autostradën “Tiranë-Durrës”, tek  mbikalimi i këmbësorëve në Shkozet,  mjeti tip “Fiat Dukato” që drejtohej nga shtetasi F. T., dhe mjeti autobuz tip “Skania” që drejtohet nga shtetasi P. T., janë përplasur me motorin tip “Dajang”, me drejtues shtetasin R. B., 25 vjeç, banues në Durrës, i cili ka ndërruar jetë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.