10:55 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

Akuzat për përdhunim, mund t’ia “shkatërrojnë” jetën Ronaldos – NIKE të shqetësuar!

Akuzat për dhunë seksuale ndaj Cristiano Ronaldos, që e kanë origjinën në një ngjarje të vitit 2009, mund të shembin perandorinë ekonomike të yllit portugez.

Ish-modelja, Kathryn Mayorga, pretendon se është përdhunuar nga futbollisti i Juventusit 9 vite më parë në Las Vegas dhe tashmë zhurma e madhe po shqetëson kompanitë e shumta që i japin miliona euro çdo vit Ronaldos, për ta pasur si imazh të vet.

Corriere della Sera raporton se sponsorët e Ronaldos po ndjekin me shumë shqetësim këtë histori dhe drejtuesit e Nike kanë deklaruar për agjencinë Associated Press: “Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për akuzat e rënda ndaj Ronaldos dhe do të vijojmë ta monitorojmë nga afër situatën”.

Kolosi i veshjeve sportive, që e ndjek Ronaldon prej vitit 2003, ka një kontratë “të përjetshme” me portugezin, me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë, por natyrisht gjithçka ndryshon nëse Ronaldo shpallet fajtor.

Nuk është vetëm Nike kompania që mund të braktisë Ronaldon, sepse edhe shumëkombëshja e videolojërave EA Sports ka theksuar: “Po monitorojmë me vëmendje situatën, sepse ambasadorët tanë duhet të mishërojnë vlerat e kompanisë sonë”.Edhe Save the Children është i shqetësuar: “Jemi të demoralizuar nga këto lajme dhe po punojmë për të grumbulluar informacione”.CR7 është në një situatë të vështirë, edhe pse i mohoi këto akuza të rënda.

Temat: