22:29 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Alain Delon fiton çmim për vepër jetësore pas 7 nominimeve të pasuksesshme

Aktori francez Alain Delon në Festivalin e Filmit në Kanë ka marrë një çmim për arritje jetësore.

Çmimi i nderit është dhënë për karrierën e gjatë gjashtëdhjetë vjeçare dhe shpërblimin atij ia ndau e bija, Anouchka Delon.

“Një gjë për të cilën jam i sigurt dhe për të cilën jam krenar është karriera ime. Ky çmim për punën time më bën të lumtur, të kënaqur dhe të përmbushur,” tha Delon.

Edhe pse ishte shtatë herë i nominuar, ai deri më tani asnjëherë nuk kishte marrë Palmën e Artë.

Ky çmim, i cili është marrë më parë nga Jean-Paul Belmondo dhe Jean-Pierre Leaud, mund të shihet si i vonuar për aktorin që ka punuar me regjisorët e mëdhenj botërorë si Visconti, Antonioni dhe Melville, pavarësisht se u përcoll me polemika para dhe pas festivalit.

Organizatat feministë kërkuan nga organizatorët të mos ia ndajnë çmimin aktorit me akuzat se ai është racist, homofob dhe urrejtës i femrave, sikurse e ka quajtur shoqata amerikane e grave dhe  Hollywood-i, duke iu referuar deklaratave që Alain Delon kishte dhënë në ngjarje të ndryshme, transmeton KosovaPress.

Por, aktori i njohur ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se kritikët po shpifin.

“Nuk jam kundër martesës homoseksuale, nuk më intereson: njerëzit bëjnë atë që duan. Por unë kundërshtoj adoptimin e fëmijëve në një martesë të tillë. Kam thënë se kam goditur shuplakë gruan? Po, e kam bërë. Por unë nuk e thashë këtë për të marrë më shumë shuplaka se sa që kam dhënë. Unë kurrë nuk kam abuzuar gruan time. Ata donin të më etikonin si djathtist ekstremë, pasi thashë se isha mik i Jean-Marie Le Pen nga ditët ushtarake. Jo, unë jam vetëm një krah i djathtë dhe pikë”, ka thënë Alain Delon për mediat franceze.