22:52 / E Diele, 13 Tetor 2019 / indeksADMonline

Albin apo Lenin!

Indeksonline

Nuk do të merremi me qëndrimet politike të Kryetarit të LVV mbi tema të caktuara, sepse ai ende nuk është mandatuar për kryetar të qeverisë, por edhe sikur të ishte mandatuar dhe të ishte zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, që nuk e ka njohur ai kurrë, sërish nuk do të merremi para se të kalonin 100 ditët e para të qeverisjes Kurti.

Por ajo që e bën të ngutshëm reagimin e redaksisë sonë dhe që është shqetësuese dhe e frikshme, është kërcënimi klasik i tij në lidhje me bizneset private.

Më shumë se kaq është një deklarim kryekëput komunist i viteve të revolucionit rus kur pas pamfleteve të tilla njerëzit janë ekzekutuar, kryesisht në emër të popullit, pa asnjë gjyq, pa asnjë procedurë juridike.

Kushdo që e lexon reagimin e Kryetarit të LVV, e sheh se aty është rizgjimi i militantizmit të kuq komunist, i cili në veprimet e vete e merr parasysh edhe simbolikën e fenomenit a të procesit me të cilin e manipulon opinionin publik. Kësaj radhe ‘i pushuari nga puna’ e ka simbolikën e fuqishme të cilën e përdorte Mao Ce Dungu, për t’i zhdukur kundërshtarët dhe ‘viktima’ që prezantohet e mban emrin Amar Pushka.

I gjithë deklarimi i Kryetarit të LVV është pamflet komunist që i zgjidh proceset, dukurit dhe gjithçka tjetër me dhunë, pra me ‘pushkë’. Ka dyshime të bazuara që Kryetari i LVV, duke i bërë të famshëm të rinjtë i ka flijuar krejt. Enigma me Astrit Deharin ende vazhdon! dhe askush me mirë se Kryetari i LVV nuk di t’i bëjë hero njerëzit pasi t’i vdesin.

Kryetari i LVV paralajmëron në mënyrë të tërthorë ‘gjak revolucioni’ për t’i përmirësuar kushtet e klasës punëtore. Realisht me deklarimin e sotëm Kryetari i LVV e filloi luftën e klasave. Por ku do të shkojë?!

A do të jetë kryeministri i ardhshëm Albin apo Lenin, mbetet të shihet.

Por edhe pa filluar nga puna Kryetari i LVV e bëri dështimin e parë dhe kërcënimin e parë ndaj bizneseve në Kosovë. Urojmë të jetë kjo vetëm një naivitet e tij për ta marrë ligjin dhe drejtësinë në duart e veta.

Në qoftë se Kryetari i LVV, Albin Kurti i ka fituar zgjedhjet i vetëm, kjo nuk do të thotë se ai tashmë duhet të jetë edhe Kryeministër, edhe Kryepolic, edhe Kryeprokuror, edhe Kryegjykatës edhe gjithçka vetëm ai./Indeksonline/