11:20 / E Shtunë, 20 Tetor 2018 / indeksADMonline

Albin Kurti: Kosova, viktima e vetme e Serbisë, ka probleme me katër shtete të tjera

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se Kosova është viktima e vetme e Serbisë pasi që sipas tij, shteti serb do të ketë kokëçarje me katër shtete tjera për çështje të kufijve dhe pakicave kombëtare.

Sipas Kurtit, kjo është strategji e Vuçiqit e Daçiqit e cila sipas tij ka gjetur mirëkuptim edhe nga presidenti i Kosovës.

“Kroacia dhe Hungaria, por edhe Rumania e Bullgaria, si anëtare të BE-së, do t’i bëjnë shumë kërkesa Serbisë për çështje të kufijve dhe pakicave kombëtare. Madje edhe Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi e Maqedonia nuk kanë rregulluar shumëçka me Serbinë.

Prandaj shumë siklet e kokëçarje do të ketë Serbia prej të gjithë këtyre në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Prandaj asaj po i ngutet për marrëveshje me Kosovën, me viktimën kryesore të saj, në mënyrë që këtë ta përdorë si argument se Serbia nuk është më ai shteti agresor dhe kriminal, hegjemon e shtypës.

Nëse shqiptarët ia falin Serbisë krimet dhe diskriminimet, borxhet dhe territoret, atëherë çka kanë kroatët e hungarezët, rumunët e bullgarët, që ankohen?! Kjo është strategjia e Vuçiqit dhe Daçiqit, e cila ka gjetur mirëkuptim në majen e shtetit të kapur të Kosovës, te presidenti ynë sharlatan” shkruan Kurti në Facebook./Indeksonline/