16:36 / E Diele, 11 Qershor 2023 / C E

Albion Rrahmani ftohet nga Kosova për ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë

Albion Rrahmani është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e këtij muaji, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur sot se përzgjedhësi, Alain Giresse, e ka ftuar sulmuesin e Ballkanit.

Sipas njoftimit, Rrahamani do t’i bashkohet ekipit sot dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për dy ndeshjet kualifikuese kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë. 

22-vjeçari në sezonin e fundit në Superligë ishte golashënuesi më i mirë. 

Ai sezonin 2022/23 e mbylli me 20 gola.

Albion Rrahmani ka qenë pjesë e “Dardanëve” edhe në grumbullimin e muajit mars. 

Kujtojmë se Kosova më 16 qershor do të jetë nikoqire e Rumanisë, kurse pas tre ditësh do të luajë në udhëtim ndaj Bjellorusisë. Të dy ndeshjet i takojnë Grupit I.

Në këtë grup prin Zvicra me 6 pikë, aq sa ka edhe Rumania si e dyta. Kosova është e treta me dy pikë.

Andorra dhe Izraeli ndajnë pozitat katër dhe pesë me nga një pikë, teksa e fundit dhe pa pikë është Bjellorusia.