21:05 / E Enjte, 07 Korrik 2022 / OSH

Aleanca për Shqiptarët i jep fund bashkëpunimit me VMRO-në

Aleanca për Shqiptarët, nëpërmjet një konference për shtyp në selinë e Tetovës, ka njoftuar se do të ndërpresë bashkëpunimin e deritanishëm që kanë pasur me partinë maqedonase VMRO-DPME.

Kjo pas incidentit të djeshëm gjatë protestave ku vëllai i një prej eksponentëve të ASH-së me detyrë drejtor në Ndërmarrjen e Higjienës Komunale shtiu me armë zjarri, ndërsa ky i fundit u shkarkua nga detyra nga ana e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Sekretarja e përgjithshme e ASH-së, Vjollca Berisha, tha se mbrëmë i gjithë opinioni ishte dëshmitarë edhe i një skenari për të sulmuar shqiptarët e Shkupit dhe pronën e tyre, ngjashëm si skenarët e kaluara ku për qëllime dhe pazare politike shqiptarët bëheshin kurban, ndërsa BDI, LSDM dhe VMRO përfitonin pikë politike.

“Rruga drejt BE-së nuk guxon të merr haraç pronën dhe jetën e qytetarit shqiptar. Këtë e themi hapur dhe zëshëm për ata që në emër të evropianizimit e bëjnë kurban shqiptarin dhe kundrejt atyre që protestat kundër evropiane i drejton kundër popullit më evropian, popullit shqiptar”, tha ajo.