15:39 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Aleksandrit me aftësi të kufizuar i plotësohet dëshira dhe amaneti i babait

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela Shqiptare” ka shkruar Xhoana nga Lezha, motra e Aleksandrit, i cili është personazhi që iu bë surpriza.

Aleksandri ka lindur me aftësi ndryshe, pasi krahët dhe këmbët e tij nuk janë zhvilluar në proporcion me trupin. Motra e tij Xhoana, tregoi historinë e tij, paragjykimet me të cilat përballet ai si dhe dëshirën për të vazhduar studimet. Ne studio ishte gjithashtu dhe Bardhok Pulaj, Drejtor i Drejtorisë Arsimore të Lezhës.

32- vjeçari rrëfeu për jetën e tij. Ai ka mbaruar klasën e parë dhe është në të dytën. I pëlqen që të jetë i pranishëm në shoqëri si dhe të shkruajë.

Aleksandri rrëfeu se shumicën e gjerave mund ti bëjë vetë, si të ushqehet, të shkruajë, të përdori kompjuterin. E vetmja gjë që ai do më shumë është që të bëjë shkollën, pasi dhe babai i tij i ndjerë ka pasur shumë dëshirë që ai të shkollohej. Ai tani nuk shkon dot në shkollë, pasi furgoni është shumë i lartë dhe ai nuk mund të hipë dot.

Profesori Bardhok Pulaj, tha se është hartuar një program ku Aleksandri do të ndjekë një shkollë më kohë të pjesshme në Lezhë, ku ai do të mbyllë dy vjet të shkollës brenda një viti. Ai do të mbarojë këtë vit shkollor, ku do të përfundojë klasën e dytë dhe të tretë.

Por nuk mbaron këtu surpriza për Aleksandrin, profesori premtoi gjithashtu se do të marrë përsipër transportin e ditëve që do të shkojë në shkollë.

Bardhok Pulaj: Çdo njeri ka të drejtën e shkollimit, pavarësisht arsyeve, mundësive dhe kohës. Do të mendojmë që Aleksandri të ndjekë dhe shkollën e mesme dhe do të punojmë në mënyrë të intensive që të mbarojë 9-vjeçaren. Unë gjithashtu di se Aleksandri do të hapë dhe një dyqan për kompjutera dhe elektronik në Lezhë. Ai ka shumë vullnet. Unë njoh vetëm nënë e tij dhe e kam parë që është një zonjë, pasi ka bërë një sakrificë për djalin e saj.

Edhe këtë herë “Ka një mesazh për ty” bëri njerëz të lumtur dhe u riktheu buzëqeshjen Aleksandrit dhe motrës së tij. Tani ai do të ndjekë shkollën që e kishte me aq shumë pasion.