23:25 / E Enjte, 08 Korrik 2021 / OSH

Aliu pas përurimit të projektit për Bashkimin e Qytetit: Kjo vepër që trashëgim po ia lëmë̈ brezave!

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka folur pas përurimit të projektit të Bashkimit të Qytetit.

Ai u shprehë se kjo vepër është trashëgim që po ia lë brezave të ardhshme, transmeton Indeksonline.

Aliu në postimin e tij tha se trupi i qendrës së Ferizajt është magjepsës dhe krejt i ri.

Postimi i plotë i Agim Aliut:

Bashkimi i Qytetit ndodhi! Gëzuar Ferizaj, zemra jonë!

Magjepsës dhe krejt i ri është tashmë trupi i qendrës së Ferizajt. Asgjë nuk na ndal kur jemi bashkë e të vendosur. Guximi, vizioni, dija dhe këmbëngulja, triumfoi që sot të shkëlqej kjo kryevepër infrastrukturore. Me nënkalimet në Varosh-Nikadin, tek Plus Marketi dhe nënkalimin në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” që sot përuruam, i thamë përherë lamtumirë pasigurisë nga hekurudha, duke i dhënë mundësi ekonomisë në këtë zonë, lëvizshmërisë së lirë të qytetarëve të çdo moshe e patjetër një identiteti që krijon kjo vepër madhështore në zemrën e Ferizajt.

Dua nga zemra t’i themi të gjithëve, që vendosën qoftë edhe një gozhdë në këtë projekt, që thanë një fjalë në krahun e paskaj të mbështetjes qytetare, duarartëve që kthyen ëndrrën në realitet, FALEMINDERIT!

Ta gëzojnë ferizajasit e sotëm dhe ata që do të vijnë pas nesh, ta shijojmë të bukurën e perfeksionin infrastrukturor në damarët e zemrës së qytetit. Urime Ferizaj – Bashkimi i Qytetit – kjo vepër që trashëgim po ia lëmë brezave!