22:19 / E Shtunë, 16 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Allegri: Higuain startues, Dybala jo

Skuadrat e mëdha nuk janë kurrë të mërzitshme. Duke pasur yje, gjithmonë ndodhin ngjarje. Edhe nëse ndonjëra prej tyre përsëritet dhe duket si telenovelë indiane me ato zgjatjet e stërmundimshme, tifozët nuk qahen.

Kjo po ndodh te Juventusi, aty ku Massimiliano Allegri nuk ka ndërmend ta rikthejë si titullar yllin Paulo Dybala, nëse ai nuk rigjen formën. Në prag të ndeshjes së kampionëve të Italisë në Bologna (nesër), trajneri bardhezi është pyetur më shumë për sulmuesin se sa për takimin.

“A do të jetë Dybala titullar? E vështirë, por edhe në të kaluarën kemi pasur lojtarë të mëdhenj, të cilët kanë kaluar çaste të vështira, Pirlo, Vidal, Pogba… Nuk do të jetë i fundit”, – u shpreh Allegri.

I pyetur për kritikat e legjendës Paul Nedved, trajneri u përgjigj: “Nuk do t’i quaja kritika, por këshilla. Paulo është një djalë 24-vjeçar dhe duhet të rritet. Ai aktualisht nuk është në formën e duhur. Kështu ka ndodhur edhe me lojtarë si Higuain, Mandzukic apo Alex Sandro. Duhet të stërvitet, kaq. Nuk është se kemi një problem ‘Dybala’. Për jetën e tij private nuk bëhem dot qen roje. Vlerësoj atë që shoh në stërvitje”.

Në fund, edhe disa fjalë emocionuese. “Ne kemi nevojë për të”, – shtoi Allegri. /IndeksOnline/

Temat: