14:52 / E Hënë, 18 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Alvin Berisha në spital, analizohet gjendja e tij shëndetësore

11-vjeçari Alvin Berisha i shoqëruar nga babai Afrim e familjarët e tij ka nisur vizitat mjekësore në spitalin e Lecco-s.

Një ekip i specializuar mjekësh do të analizojë gjëndjen shëndetësore të vogëlushit, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë një atentati në Siri ku humbi jetën nëna e tij Valbona.

Nga atentati me bombë Alvini u plagos rëndë në njërën këmbë e u mjekua në kampet e Sirisë nga një staf mjekësor i organizatave humanitare. Plaga në këmbë i ka krijuar vështirësi të dukshme në ecje, kurse mjekët italianë po vlerësojnë një ndërhyrje kirurgjikale të specializuar.

Mësohet se për Alvin Berishën po mendohet një plan special për kujdesjen ndaj tij e rikthimin në shkollë.

Për momentin prioriteti i parë ndaj vogëlushit shqiptar është shëndeti i tij fizik e psikologjik. Pak ditë më parë i marrë në pyetje nga autoritetet italiane, psikologu verifikoi se ai po përjeton një traumë të fortë emotive.