10:52 / E Premte, 25 Shtator 2020 / indeksADMonline

Ambasada Amerikane financon dy projekte të rëndësishme në Agjencinë e Akreditimit

Partneri implementues i projektit, Kosovo Unitet State Alumni (KUSA) i angazhuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, ka nënshkruar kontratat me Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe partnerin implementues WUS Kosova, për financimin e dy projekteve, në vlerë prej 65 mijë dollarë, të cilat kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe teknike të Agjencisë së Akreditimit dhe plotësimin e kritereve kryesore për kthimin e anëtarësimit të Kosovës në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Me këtë rast, drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka thënë se “me këtë projekt të financuar nga Ambasada Amerikane dhe disa të tjera nga partnerët tanë, pothuajse po rrumbullakësohet plotësimi i kritereve për kthimin e Kosovës në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), por njëkohësisht i rritë kapacitetet e tona institucionale për zhvillimin dhe garantimin e cilësisë në arsimin e lartë”.

Gashi ka thënë se përveç përkrahjen teknike dhe financiare, Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka përkrahur Agjencinë e Akreditimit në forcimin e pavarësisë institucionale, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Projekti i parë i financuar nga Ambasada e SHBA-së, targeton kriteret kryesore të kërkuara nga ENQA, duke përfshirë analizën tematike dhe metodologjinë për zbatimin e saj, zhvillimin e sistemit të brendshëm të cilësisë, draftimin dhe zbatimin e standardeve evropiane të cilësisë në arsimin e lartë – ESG, krijimin e mekanizmave për vlerësimin e brendshëm të AKA-së, trajnimin e stafit dhe marrjen e imputeve nga të gjithë akterët e arsimit të lartë në Kosovë.

Projekti i dytë ka të bëjë me zhvillimin e web faqes së re të AKA-së, krijimin e platformës elektronike për lëshimin e vërtetimeve online për programet e akredituara dhe krijimin e platformës për raportimin dhe eliminimin e shkeljeve të standardeve të akreditimit.