20:23 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ambasadori gjerman paralajmëron deputetët për pasojat nëse shfuqizohet Gjykata Speciale

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka paralajmëruar se nëse deputetët vendosin për anulimin e Gjykatës Speciale, Kosova mund t’i dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj ndërkombëtar.

Heldt ka thënë se Gjykata Speciale është pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Angazhimi në sundimin e ligjit është një gur themel për zhvillimin e Kosovës. Dhomat e Specializuara janë pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit të Kosovës. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj mund ta vendosë Kosovën prapa në kursin e saj Euro-Atlantik dhe të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj më të afërt”, tha sonte ambasadori gjerman Christian Heldt.

43 deputetë kanë kërkuar që të mbahet sonte seanca e jashtëzakonshme për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ditë më parë me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK’së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.