75 Mall Live Search
19:03 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ambasadori Minxhozi tregon rëndësinë e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë

Në qytetin e Pejës ditën e djeshme u mblodhën dy delegacionet shqiptare nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Në këtë mbledhje në mes dy vendeve u nënshkruan 9 marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë afrimi të dy vendeve sa i përket zhvillimit ekonomik dhe rajonal.

Lidhur me këtë mbledhje dhe arritjet e marrëveshjeve, Indeksonline ka kontaktuar Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi.

Minxhozi ka deklaruar se mbledhjet e tilla po arrijnë të afrojnë dy vendet dhe marrëveshjet e nënshkruara janë mëse të nevojshme.

“Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës janë bërë kryesisht në aspektin e ekonomisë, në mes dy vendeve. Mendoj se marrëveshjet e nënshkruara deri tani kanë dhënë efekte pozitive, pasi deri në vitin 2015 ka pasur njëngërç, por pas marrëveshjeve është arritur që të hiqen disa barriera që ishin vendosur nga dy anët e kufirit. Ne kemi arritur në vendime të mëdha sepse mendohet të realizojmë edhe shkëmbime mallrash të mëdha, vitin e kaluar kanë qenë 200 sivjet janë rreth 200 e 30 milionë”, ka thënë Minxhozi.

Tutje ai ka deklaruar se mbledhja e djeshme e dy qeverive ishte e fokusuar në marrëveshjet që kanë të bëjnë me tërheqjen e tarifave.

“Heqja e tarifave do të ishte diçka shumë e mirë për vendin në përgjithësi”, ka shtuar Minxhozi.

Sipas tij pritshmëritë për vitin e ardhshëm janë edhe më të mëdha sa i përket bashkëpunimit.

Ambasadori  ka thënë poashtu se është mirë që bizneset të kenë shkëmbime konkrete , si anë pozitive për të ardhmen.

“I shoh marrëveshjet si pozitive, konkrete dhe gjitha marrëveshjet në të kaluarën, por më e mira besoj ka qenë me heqjen e tarifave, si heqje totale e barrierave dhe për funksionalizimin e shkëmbimeve në mes dy vendeve”, ka shtuar Minxhozi.

Ndryshe në mbledhjen e dy qeverive të vitit 2015 e cila u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Shqipëri, u nënshkruan 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle:

Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.

Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.

Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.

Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.

Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.

Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.

Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.

Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.

Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës. Kryeministri shqiptar kishte zgjedhur si moto të kësaj mbledhjeje tre fjalë: “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr.

Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2016 u arritën shtatë marrëveshje:

Marrëveshja për Njohjen e Ndërsjellë të Certifikatës së Testimit/kalibrimit të Tahografit të Mjeteve Rrugore,

Marrëveshja për Bashkëpunim në mes të autoriteteve tatimore dhe doganore të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore.

Marrëveshja për Krijimin e Qendrës së Përbashkët Trajnuese.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike te Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave ne fushën e Mirëqeverisjes dhe administrimit publik.

Marrëveshja për Partneritet për Bashkëpunimin Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor te Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë.

Memorandumi Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë se Republikës së Shqipërisë.

Ngjashëm u zhvillua edhe mbledhja e dy qeverive në vitin 2017, ku u arrit të nënshkruhen 12 marrëveshje, më së shumti deri më tani nga zhvillimi i këtyre mbledhjeve:

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë;

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në fushën e diasporës.

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për qendrat kulturore në diasporë;

Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fushën epolitikës së jashtme;

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian;

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunim për zbatimin e rregullimit më të mirë, e të vlerësimit të ndikimit dhe për përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave;

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të Drejtës për Pension;

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve– AIDA dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KEISA;

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Protokoll për bashkëpunimin teknik në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare dhe produkteve me origjine shtazore dhe joshtazore;

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm;

Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në krijimin dhe funksionimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës.

E mbledhja e djeshme e mbajtur në Pejë përfundoi me arritjen e nëntë marrëveshjeve në mes dy vendeve.

Fokusi i këtyre marrëveshjeve ishte në heqjen e tarifave në mes dy shteteve, duke u parë si shumë pozitive për të gjithë qytetarët.

9 marrëveshjet e arritura dje:

Nënshkrimi i Marrëveshjes për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Nënshkrimi i Protokollit për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, në mes të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për pronësinë industriale të RKS dhe Drejtorisë së përgjithshme të pronësisë industriale të Republikës së Shqipërisë.

Nënshkrimi i Protokollit ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Nënshkrimi i Marrëveshjeve për bashkëpunim në fushën e Rinisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës.

Nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Nënshkrimi i Projekt “marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, ndërmjet ministrisë shëndetësisë dhe mbrojtës sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.

Pas përfundimit të mbledhjes, zhvillohet ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy qeverive./Indeksonline/