07:05 / E Hënë, 05 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ambasadorja kanadeze thotë se korrigjimi i kufijve nuk është hap logjik

Ambasadorja e Kanadasë në Beograd, Kati Csaba, deklaroi se vendi i saj mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa idenë për korrigjimin e kufijve nuk e sheh si të domosdoshme si zgjidhja më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje.

Ajo në një intervistë për Blicin serb, tha se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është një hap shumë i rëndësishëm drejt stabilitetit dhe sigurisë rajonale, dhe një hap që duhet të zgjidhet në mënyrë që Serbia të bashkohet me BE.

“Ne shpresojmë që ky proces të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Sa i përket demarkimit, nga perspektiva e dikujt që vjen nga një vend multikulturor dhe i bazuar në diversitet, ne nuk mendojmë se gjetja e një kufiri etnik është domosdo zgjidhja më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje. Në anën tonë, ne kemi nxjerrë përfitime të mëdha nga diversiteti. Ne e shohim këtë si një burim forcë dhe ne do t’i inkurajojmë të gjitha vendet e rajonit të aplikojnë të njëjtën qasje”, tha Csaba.

Sipas saj, krijimi i një linje të re ndarëse për të pasur komunitete etnikisht të pastra nuk do të veprojë si një hap logjik përpara. “Por unë e di se ky nuk është qëndrimi i shumë qytetarëve këtu dhe natyrisht situata në Kanada është vërtet shumë ndryshe nga ajo në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh diplomatja kanadeze.