09:38 / E Martë, 17 Janar 2023 / B O

Amerika në Kosovë

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

         Nëse shkrimi i historisë nuk është vetëm një regjistrim i thjeshtë i datave, i fakteve, i dëshmive, por analizë shumëdimensionale, me qasje kritike dhe objektive e ngjarjeve, e zhvillimeve historike të qytetërimeve, e vendimeve për histori, për fatin e popujve të robëruar,  atëherë, lirisht mund t’i  kujtojmë edhe Marrëveshjen e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit (1878), Konferencën e Londrës (1913), edhe Traktatin e fshehtë të Londrës ( 1915). Ky rikthim në histori, na jep mundësinë që, gjithnjë në temën, Amerika në Kosovë, përkatësisht, diplomacia amerikane dhe çështja shqiptare ta shtrojmë pyetjen: Si do të ishte rrjedha e historisë sonë kombëtare, në rast se, në Marrëveshjen e Shën Stefanit, në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës të ishte  aktor diplomatik edhe ShBA-ja? Në ato vite,  fatin tonë, jo të mirë, nëpër ato konferenca dhe kancelari diplomatike, e përcaktuan baballarët, gjyshërit, stërgjyshërit e evropianëve të sotëm, dhe në radhë të parë, paraardhësit e  diplomatëve të sotëm rusë e serbë, gjithnjë, të pozicionuar armiqësisht kundër popullit shqiptar! Madje, pa ekzagjerim dhe pa patetikë politike, kushdo  mund ta rianalizojë, ta rishqyrtojë  pyetjen: Si do të ishte zgjidhja e çështjes së Kosovës, në rast se, në Konferencën e  Rambujesë,  ShBA-ja të mos ishte protagonistja kryesore dhe, së bashku me ne shqiptarët, të lavdishmen, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të dilnim, fitimtarë të asaj arene të ballafaqimit për  histori të diplomacisë? Por, kjo temë, le t’u ngelë për hulumtim, në radhë të parë, studiuesve  bashkëkohorë shqiptarë, historianë, politologë etj.

       Prandaj, duke ngelur në përplasjet e historisë së diplomacisë, me konsideratë e kujtojmë, në radhë të parë, falë Nolit të madh, angazhimin vendimtar të presidentit  Willson në Konferencën e Paqes në Paris, 1918-1919, në mbrojtje të drejtë të çështjes shqiptare. Dhe, duke bërë këtë paralele historike, shohim rolin vendimtar të ShBA-së në mbjelljen e demokracisë shqiptare në Shqipëri, në  fillimet postkomuniste, veçmas rolin e jashtëzakonshëm të diplomacisë  amerikane në vitet e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, 1998-1999 dhe, më 2008, në Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në të njëjtin pikëvështrim, kemi parasysh rolin vendimtar të ShBA-së për, shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Pra, Amerika ishte dhe do jetë, siç dëshmojnë edhe iniciativat, veprimet, e presidentëve, Bush i Riu, Trump dhe tani Biden, fuqia kryesore dhe më e besuar e përkrahjes së rrugëtimit të shtetit të Kosovës, drejt konsolidimit të brendshëm dhe afirmimit tonë në arenën ndërkombëtare, deri në anëtarësimin në NATO dhe në OKB. Është diplomacia amerikane, ajo e cila me gjithë veprimet, anti Kosovë, të  ealeancës Rusi – Kinë- Serbi,  kundër globalizmit, kundër Rendit të Ri Botëror, e ka autoritetin  ndërkombëtar për t’u dhënë udhë, zgjidhje, shumë proceseve të sotme, konflikteve, mosmarrëveshjeve anembanë globit. Është  Amerika, aleati ynë më i fuqishëm, më vendimtar, më besnik i cili, ashtu siç e kultivoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është dhe do të jetë në mbrojtje të objektivave të shtetit të Kosovës, gjithandej,  të popullit  shqiptar.

                                                 SHBA – flamurtare e ideologjisë së lirisë

          Demokracia amerikane vazhdon të jetë udhërrëfyese për shpërndarjen e sistemit të vlerave, të qytetërimit të ri, në shumë vende të botës bashkëkohore. Vlerat më sublime, të shtetndërtimit, ku themel është shteti ligjor, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, të  gjitha etnive, pa dallim race, gjuhe dhe besimi, janë simbol i politikës amerikane. Shqiptarët gjithandej, populli i Kosovës i përvetëson  me vendosmëri, ato vlera, si emblemën e qytetërimit të sotëm, të cilës kulturë mbarënjerëzore, shpirt e guxim i jep sistemi amerikan i qeverisjes, i demokracisë, politika e jashtme amerikane, e cila rrezaton në globin mbarë.

        Kosova, populli i saj e di fare mirë se çfarë privilegji është, që në këto përplasje të qytetërimeve, të betejave për mbizotërim me ambiciet, veçmas pretendimet, vërsuljet  imperialiste të  Federatës Ruse, jo vetëm ndaj Ukrainës, pastaj, pretendimeve imperialiste   të Serbisë  dhe të  Kinës, ta kesh përkrahjen, mbështetjen, bekimin e ShBA-së, ta kesh, në truallin shqiptar, Bondstilin amerikan,  bazën e ardhshme të ushtrisë Amerikane, në Kuçovë. Është çështje e gjeopolitikës, është betejë e vazhdueshme për zgjerim, fuqizim të sferave, zonave të interesit, por, mbi të gjitha, po zhvillohet betejë për afirmimin e sistemit të vlerave, të qytetërimit  perëndimor, amerikan,  shpresë e njerëzimit. Xhon F. Kenedi thoshte se një ndër qëllimet themelore të ShBA-së është: “Jo thjesht paqe për amerikanët, por paqe për të gjithë njerëzit – jo thjesht paqe për kohën tonë, por paqe në të gjithë kohën”.

Populli i Kosovës, gjithandej  populli shqiptar, institucionet shtetërore, elitat akademike, politike, më shumë se kurrnjëherë, janë të përcaktuara për reflektim të vendosur,  në forcimin e aleancës shumëdimensionale  me ShBA-në, flamurtaren e ideologjisë së lirisë dhe të progresit njerëzor, me Amerikën fuqinë mbizotëruese në shek. XXI. Është koha, është çasti i historisë që, si komb shqiptar, si Kosovë, ballëhapur, guximshëm ta jetësojmë, besëlidhjen me popullin, me shtetin mik amerikan. Rrugëtimi ynë, gjithmonë me Amerikën, drejt qytetërimit perëndimor, edhe me identitetin tonë kombëtar, me krenarinë e traditës shqiptare, do të jetë më i sigurt, më kuptimplotë, më shpresëndjellës për ne dhe brezat e ardhshëm. Për shtetin e Kosovës, për popullin shqiptar, adresa më e fuqishme, më e besueshme  e aleancës, e bashkëpunimit, e  mirëbesimit, e mbështetjes, e ruajtjës së integritetit dhe sovranitetit të tokave, territoreve shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës është dhe do të jetë, Washingtoni zyrtar.

       Prandaj, sërish, në këtë 14-vjetor të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në këto zhvillime dramatike për rajonin dhe botën,  themi: Amerikë, prore, mirë ardhsh,  nga qielli, nga toka, nga deti  në Kosovë, në Shqipëri!