12:00 / E Mërkurë, 29 Gusht 2018

Amerikanët përkrahin ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’

Në fjalimin e tij në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i emëruari për ambasador të ri të këtij vendi në Kosovë  Philip Kosnett, tregon se është i përkushtuar në zgjidhjen e problemeve të furnizmit me energji elektrike në Kosovë.

‘Termocentrali i ri 1.4 miliardësh do të bëjë revolucion në ekonominë e Kosovës.’, kishte thënë Kosnett për projektin e termocentralit Kosova e Re teksa po shpaloste planin e tij pranë Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jasht në SHBA.

Sipas Kosnett, përkrahja e SHBA-ve në sektorin e energjisë përfshinë ndërtimin e termocentralit të ri si dhe programet e përkrahjes së efiqiencës dhe zhvillimit të projekteve të reja të prodhimit të energjisë përmes programit të MCC.

 Teksa po shpaloste prioritetet e tij në Kosovë, e tij z. Kosnett tregon se do të lobojë për ndërtimin e termocentralit të ri 1.4 miliardësh, marrë parasysh se mungesa e të njejtit i shkakton humbje të mëdha ekonomisë në Kosovë.

 ‘Furnizimi jo i rregullt i kushton ekonomisë së Kosovës rreth 415 milionë dollar në vit, ose afërsisht 6 për qind të GPD-së. Unë do të lobojë për zbatimin e strategjisë gjithpërfshirëse të energjisë në Kosovë, që nënkupton energji tradicionale dhe të ripërtrishme.’, kishte theksuar ai ndër tjerash në fjalimin e tij në Senatin Amerikan.

 Kosova ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë amerikane për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Nga të qenit importuese e energjisë elektrike, Kosova do të sigurojë rezerva të brendshme të mjaftueshme dhe të qëndrueshme të energjisë elektrike, duke zvogëluar ndotjen dhe duke siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike.