18:08 / E Mërkurë, 15 Gusht 2018 / indeksADMonline

Analistët: Dorëheqja e prokurorit, dështim i sistemit prokurorial

Prokurori Special i Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, ka dhënë dorëheqje nga Prokuroria para dy ditësh.

Për dorëheqjen e prokurorit që po hetonte disa raste të terrorizmit dhe dyshimet për manipulime me listat e veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë reaguar autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.

Deri më tani, Blakaj nuk është deklaruar për arsyen e dorëheqjes, derisa në media është raportuar se prokurori kishte marr disa kërcënime që ndërlidheshin me rastet që ai hetonte.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se gjendja në sistemin prokurorial është e rëndë në kuptim të atmosferës së punës për shkak të presioneve dhe ndikimeve të mëdha politike dhe grupeve te interesit në punën e prokurorëve.

Sipas tij, një gjë e tillë është dëshmuar edhe me rastin e prokurorit Blakaj, i cili dha dorëheqje papritmas.

“Dorëheqja e prokurorit special Elez Blakaj dëshmon për dështimin e sistemit prokurorial për të mbajtur në radhët e veta prokuror me integritet, të cilët përballen me sfida dhe shënojnë suksese. Është e pakuptimtë se si Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale ende nuk e ka proceduar aktakuzën më të ndjeshme që nga pas lufta të ngritur ndaj profilit të lartë të veteranëve të ngritur pikërisht nga prokurori Elez Blakaj”, ka theksuar Miftaraj.

Ai ka vlerësuar se këto situata krijojnë atmosferë që pamundësojnë ushtrimin e funksionit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, gjë që detyron prokurorët me integritet të dorëhiqen.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar ndaj vendimit të Blakajt, duke kërkuar hetim të plotë të rastit, nëse konstatohet se arsyet e dorëheqjes janë siç raportohet në media.

“Pa dashur të aludoj në rrethanat e ngjarjes, në rast se zyrtarisht konstatohet se arsyet e dorëheqjes së Prokurorit janë të natyrës përtej personale, konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë”, ka shtuar Tahiri.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar kërcënimet ndaj prokurorit Blakaj duke thënë se sistemi i drejtësisë është “hallka më e rëndësishme në forcimin e perspektivës evropiane” për Kosovën.

“Dënoj ashpër kërcënimet ndaj Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, në ushtrimin e funksionit të tij. Sundimi i së drejtës është themeli i një shteti dhe shoqërie demokratike dhe një ndër hallkat më të rëndësishme në forcimin e perspektivës evropiane të vendit tonë. I mbështes fuqishëm institucionet tona të drejtësisë në punën e tyre të palodhshme për forcimin e sistemit të drejtësisë që është funksional, transparent, llogaridhënës dhe që gëzon besim të plotë nga të gjithë qytetarët e vendit”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Për dorëheqjen e Blakajt kanë reaguar edhe ambasadorët e huaj në Kosovë. Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve ka thënë se është ditë e pikëlluar për sundimin e ligjit në vend, pasi humbi një prokuror si Blakaj.

“Është dekurajuese të dëgjosh lajmin për dorëheqjen e prokurorit special, Elez Blakaj, posaçërisht pasi ai po punonte në çështje të rëndësishme, siç janë mashtrimet e mëdha në listat e veteranëve. Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit, jo vetëm duke mbështetur prokurorët, por gjithashtu duke siguruar që të gjithë ata që janë të dënuar të vuajnë në burg vitet e tyre të dënimit”, ka thënë Delawie.

Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës,  ka theksuar se prokurorët po dorëzohen para hienave dhe tani do të marrin azil në perëndim.

“Përveç kapjes, faza e dyte, është ramja e shtetit. Prokuroret po dorëzohen para hienave, bandave, dhe siç duket do marrin azil ne perëndim. Bota duhet te ndërhyrje tani! Kjo gjë s’guxon te tolerohet, dhe qofte rast i izoluar”, ka shkruar Qorolli në profilin e tij në Facebook.

Edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj, duke thënë se institucioni që ai udhëheq, zyrtarisht nuk është njoftuar se Blakaj ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve.

“Sidoqoftë, dëshirojmë të informojmë opinionin se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si ‘Lista e veteranëve të UÇK-së’, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media dërguar nga Kryeprokuroria e Shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit njofton se Policia, më herët, pas raportimit të kanosjes ka shtuar patrullimet në vendin e punës së prokurorit Elez Blakaj.

Blakaj po ashtu kishte pranuar një mesazh kërcënues në rrjetin social Facebook, por megjithatë pas raportimit të këtij rasti në Polici, ai ishte deklaruar se nuk ndihet i kërcënuar.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit për joefikasitet, mospërmbarim të lëndëve si dhe për nivel të lartë të korrupsionit.

Raporte të ndryshme vlerësuese vendore dhe ndërkombëtare kanë theksuar se qytetarët në Kosovë edhe më tej nuk e kanë besimin e duhur në sistemin e drejtësisë. /Indeksonline/