75 Mall Live Search
11:40 / E Premte, 29 Shtator 2023 / L K

Analizë nga Hisen Berisha/ Pasveprimi i një skenari të ndalur, por i papërfunduar!

(Vazhdoje dialogun, stabilizo situatën e mos e përdor policinë – mesazhi i familjes së policit të vrarë!)

*Policia veproi sipas vlerësimit të situatës

Ajo që meriton të bëhet është të përshëndeten veprimet e policisë, në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit në vend, neutralizimi i pjesshëm dhe eliminimi i disa objektivave që paraqiten rrezik aktiv si dhe përzënia nga territori i grupit të armatosur serb që bëri invazion në territorin e Kosovës, synimi i të cilave ishte kryerja e akteve terroriste ndaj rendit kushtetues, sigurisë, qytetarëve, objekteve të kultit, infrastrukturës strategjike, etj.

(Sqarim: neutralizim do të thotë paaftësim për të vepruar. Rast ilustrimi “Kumanova” ku me datën 09/05/2015 në Kumanovë disa burra shqiptarë të pakënaqur me sjelljen e pushtetit të Maqedonisë së Veriut, u organizua në kryengritje të armatosur. Ata u neutralizuan si grup, u vranë dhe arrestuan tjerët, nuk iu qel asnjë korridor humanitar, si në rastin e grupit ushtarak serb në Veri me 24.07.2023).

Kjo tregon se ata që e bën shtetin, jo vetëm që e pavarësuan, e zhvilluan në infrastrukturë e ekonomi, por i zhvilluan edhe kapacitetet e sistemit të sigurisë e mbrojtjes.

KFOR-i ka për detyrë të neutralizojë formacionet ushtarake e jo kushtetuese. Ky sukses i Policisë tregon më së miri se, parullat “20 vjet shkatërrim” paskan qenë propagandë mashtruese e Kurtit. Sot, pas kohës optimale për analizë, pas kaq orësh të gjendjes së luftës në Kosovë, me përgjegjësi kërkoj që menjëherë nga Komanda e përgjithshme e NATO të bëhet përgjegjës gjenerali i KFOR-it për mospërmbushje të detyrave sipas mandatit që i jep KS/OKB në Kosovë, për mjedis të sigurt për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe pacenueshmëri të kufijve, pra të pamundësoi infiltrimin e invazionin e trupave dhe armatimeve të Ushtrisë serbe në territorin e Kosovës.

KFOR- e ka për detyrë të neutralizojë formacionet ushtarake e jo kushtetuese.

Është shkelur Rezoluta 1244, e cila është ambienti ndërkombëtar i vendosjes së lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Kjo flet për shkelje të krejt të drejtave dhe lirive njerëzore.

Po ashtu, kërkoj që oficeret e Policisë së Kosovës, që reaguan sipas vlerësimit të situatës, duhet të gradohen të shpërblehen me medaljen shtetërore të trimërisë, sipas Kushtetutës.

*Skenar i sinkronizuar i aktorëve në tryezën e dialogimit

Tani kanë filluar të kthjellën ujërat dhe qasja analitike pas veprimit, po krijon shumë pikëpyetje e shtron set pyetjesh teknike profesionale, politike e diplomatike që e ndihmojnë analizën.

Të gjitha qojnë në konkludimin se ishte “skenar” mirë i sinkronizuar i të gjithë aktorëve që uleshin rreth tryezës së dialogut. Kjo mundësi eskalimi të dhunës, ishte paralajmëruar shumë kohë më parë, nga vet lehtësuesi i dështuar në dialog z. Lajçak.

Përgjegjësi kryesor për humbjen e jetës së policit është Albin Kurti, me moskoordinim dhe mosplanifikim me asnjërin nga faktorët e sigurisë shtetërore e ndërkombëtare në vend.

Mësimi i mësuar është se armiqësia me ShBA-në rrezikon jo vetëm jetën e një rreshteri, por të krejt shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Po që se Qeveria e Kosovës paska qenë kaq vigjilente, si ka mundësi t’i fusin të gjitha ato kalibra armësh që u përdoren në luftën kundër Republikës së Kosovës, një arsenal për operim të një kompanie të këmbësorisë?

Si pati mundësi të infiltrohen në territor, e të pozicionohen në istikame luftimi edhe të mos vërehen as nga AKI-ja, as nga policia, as nga KFOR-i që ka njësi e teknologji elitare?

Është shqetësuese deklarata e ambasadorit të Amerikës, se “nuk kishim informacion se do ta parandalonim”!

Po presidentja, ku ndodhej? A arriti të jetë në kohën e duhur në Kosovë dhe të marr rolin që i takon si komandante supreme? A ishte në nivelin e detyrës? Meqë ndodhej në Amerikë kur mori njoftimin se ka invazion ushtarak në Kosovë nga Serbia, a mori instruksione se si duhet të veproj, cila duhet të jenë detyrat e saj pas kthimit dhe mbështetja nga SHBA që është në Kosovë?! Tani kur edhe ndërmjetësi i  dështuar i BE, z. Lajçak e thotë nëpër dhëmb që duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Ndërsa presidentja së fundmi u shfaq edhe më radikale duke kërkuar që të ulemi dhe të shkruajmë draftin e Asociacionit. Po t’i shtojmë kësaj edhe hamendësimin e frikën e diplomatit amerikan, se ka rrezik të ketë sulme prapë, kjo mund të përkthehet edhe si, “nëse nuk e bëni draftin e asociacionit” në kohë reale.

Prandaj presidentja me formulën e mendësisë komuniste e regjimeve totalitare, atë të uniteti në mendime, i bashkoj krerët partiak të Kosovës. Uniteti më i madh nacional ishte viteve ‘90, por jo në mendime. Pluralizmi i mendimeve u zhvillua edhe në ato rrethana të unitetit të domosdoshëm. Sikur presidenti Rugova të thoshte se mendimi e veprimi ndryshe jashtë vizionit të tij, është tradhti!?

Por, jo! Ai e promovojë e mbështeti pluralizmin partiak e në mendim e veprim, ndaj lindi UÇK-ja dhe ndodhi lufta për çlirim. Prandaj, sot nuk duhet unitet komunist, por mendime që ofrojnë alternativën më të mirë për të gjetur zgjidhje që garanton integritetin e sovranitetin e vendit. Përndryshe, kjo është edhe zhdukja e opozitës në vizionin e tij.

*Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të dalin me raport të detajuar!

Si ushtarak me përvojë të gjatë në analizat e mbrojtjes dhe zhvillimin e skenarëve të luftës, pa e parë raportin zyrtar, shtetëror rreth zhvillimit, sado që kam informata informale dhe direkt nga terreni, nuk mund të nxjerr dot përfundime, por po nxjerrë konstatime që duan analizuar përmes pyetjeve teknike profesionale.

Të gjitha këto duhet të epën përmes një raporti zyrtar, të cilit prirem t’i besojë.

Komisionit për siguri e mbrojtje duhet t’i raportohet me raport të detajuar nga MPB-ja,  drejtori i përgjithshëm të policisë dhe AKI-ja për tërë zhvillimin.

Është vrarë një efektiv policie e plagosur dy tjerë, dhe duhet raport balistik për armën, distancën, plagën, etj.

Duhet sa më parë të mbahet mbledhje e Komisionit parlamentar për siguri e mbrojtje, për të shqyrtuar planin e sigurisë kombëtare.

Këto analiza do jepnin përgjigje në pyetjet indikative që eliminojnë çdo dilemë lidhur me zhvillimet e fundit në veri, por edhe pritjet dhe zhvillimet në rrugën përpara, në aspektin e sigurisë dhe atë politik.

*Objektivat praktik qe pritet te arrihen

Cilat ishin objektivat politik të këtij zhvillimi ushtarak në veri të vendit me ndërhyrjen nga Serbia?

– A është synim forcimi i pozitës së Kurtit?!

– Rehabilitimi i dështimit në diplomaci të ndërmjetësve evropian, dhe lirimi nga presioni për ta bërë asociacionin?!

– Të blejnë kohë për mos bërjen e tij dhe t’i sigurojnë edhe e një mandat Kurtit në pushtet, dhe atë në momentet më kritikë të vendimmarrjes politike që priten për Kosovën?!

Me këto veprime dështuan projektin amerikan për Kosovën, pa asnjë pasojë për ndërmjetësit dhe pushtetarët, duke  ia “hedhur paq” me skenarin “infiltrimi i grupit terrorist”!

Prandaj kam kërkuar hetim për tërë procesin e dialogut, nga inteligjenca dhe Kongresi amerikan.

*Ideimi i skenarit, deklaratat dhe zhvillimet mbështetëse

Tanimë s’ka dilema se kjo çfarë ndodhi në veri është planifikuar e organizuar në takimin e Berdo-Brioneve dhe atë të Greqisë.

Kjo shpjegohet edhe me faktin se asnjë serb nuk reagojë, as nuk u implikuan, as nuk protestuan. Kujtojini radhët e kaluara si ka funksionuar kjo.

Vuçiqi në protestat e kaluara, kur u sulmuan trupat e KFOR-it, urdhëroi dislokimin e trupave ushtarake në kufijtë e Kosovës. Kësaj radhe heshti!

Në ora 14:00, zëdhënësi i tij paralajmëroi se t’i drejtohet mediave në ora 20:00, koincidencialisht mu në kohen kur edhe u përfundua skenari “infiltrimi i grupit terrorist”.

Deklarata e Vuçiqit, e shfaqi atë të relaksuar dhe nuk bëri asnjë sulm ndaj institucioneve të vendit. Thjeshtë e interpretoi si reagimi i rebeluar i disa qytetarëve të pa kënaqur, dhe vra një qytetar serb i Kosovës!

Por, me të drejtë shtrohet pyetja, ku u rrit, ku u stërvit ky grup, etj?. Andaj Serbia nuk i bëri reagimet e zakonshme.

Kurse faturimi i përgjegjësisë Kurtit është për rritje të përkrahjes për të në popull.

Çështje tjera që duhet zbardhur janë edhe tri përgjigje, që i kërkoj si ushtarak në këtë situatë:

Si ka mundësi që Dioqeza e Prizrenit sapo nisi sulmi i forcave të xhandarmërisë serbe dhe organizatave terroriste atje, ndaj policisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës u distancua nga manastiri i Bajskës?

Si nuk u ndez asnjë sirenë alarmi në Mitrovicën e Veriut edhe përkundër 12 orë luftimesh të zhvilluara bash në fshatin me numrin më të madh të popullsisë serbe?

Vuçiqi në protestën e fundit të zhvilluar nga serbët në veri ku u plagosen 12 ushtarë të KFOR-it e nisi armatën e Serbisë drejt Kosovës, ndërsa kësaj radhe, edhe pas raportimit për vrasje të serbëve në luftë me Policinë e Kosovës nuk dha asnjë urdhër për ushtrinë e tij të famshme!?

*Rehabilitimi i Serbisë dhe Vuçiqit

“Zëdhënësi” i agresionit ushtarak serb në Kosovë, këshilltari i kryeministrit për negociatat, Surroi njoftoi edhe për pengje.

Kjo u bë me qëllim që trupat e invaduara dhe armatimet e futura e strehuara në ambientet dhe objektet e manastirit në Banjskës, shumë kohë më parë, të cilësohen “grup terrorist” dhe t’iu krijohet hapësirë manovrimi operacional, meqë e pamundëson veprimin e Forcave policore të Kosovës.

Me cilësimin si grup terrorist, e rehabiliton Beogradin nga përgjegjësia, meqë kjo qeveri edhe ashtu i ka shpallur dy organizata të tilla.

Me ketë Vuçiqi nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për sulm në territorin e shtetit të Kosovës!

Informata se trupat serbe që invaduan në veri, ishin të drejtuara nga Aleksandër Vulin – shef i Shërbimit Sekret Serb, aspak nuk e zbeh faktin se ky ishte një sulm i organizuar i trupave ushtarake të xhandarmërisë serbe, të urdhëruara nga Beogradi zyrtar.

Por, drejtimi nga Vulin dhe po ashtu, në radhët e tyre ishin edhe personat që janë pjesë e strukturës politike serbe që përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë bëhet e ditur se ka nga ta të plagosur, që janë në listën e zezë të ShBA-së dhe të shpallur terrorist nga qeveria Kosovës që po trajtohen në diskrecion, në Serbi.

Pra, kjo është pjesë e skenarit! Prandaj, skenaristët me një veprim e ndalën procesin e dialogimit të mbajnë ndezur një vatër krize diku në rajonin evropian, të blejnë kohë për status-quo, e cila është interes strategjik vetëm i Rusisë.

Edhe deklarimet e kryeministrit dhe zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës në konferencë për shtyp teksa po ndodhte sulmi në veri i shërbyen teorisë së “grupit terrorist”, me çka e amnistuan presidentin serb nga penalizmi ndërkombëtar për ndërhyrje ushtarake në territorin e Kosovës.

Po ashtu, ndërsjellës kjo duhet parë edhe si qëllimi i rehabilitimit dhe kreditim të Kurtit e Viçiqit, për riinstalim në pushtet në të ardhmen e afërt zgjedhore, në emër të luftimit të grupeve të shpallura terroriste.

Pra,  siç e thash,  fillimisht u pa si një projekt për të fituar kohë që të mos e krijojnë asociacionin, si detyrim nga marrëveshjet në Bruksel e Ohër, edhe përmes këtij refuzimi, të blihet edhe një mandat për qeverisje të Albinit, në emër të pseudopatriotizmit patetik.

Por, dalja e presidentes supreme (në kuptimin e kohës rekorde për të cilën u kthye nga ShBA, brenda pak orësh, po thuajse njëkohësisht me  kryeministrin që u kthye nga zgjedhjet në Zvicër), me qëndrimin se duhet të bëhet asociacioni, e ndryshon kursin e vlerësimit. Takimi me kryetarët e subjekteve parlamentare duket se ishte edhe informimi për detyrimin e krijimit të Asociacionit. Mbetet vetëm të shpresohet që të bëhet sipas germës së Kushtetutës së Kosovës.

*Analogjitë operacionale – doktrinore të shërbimeve sekrete

Pa i krahasuar në mision, por si taktikë ngjan si dy pika uji me infiltrimin, e tradhtisë si në rastin e Kumanovës, por kjo në versionin serb, pati një skenar strikt, pa asnjë devijim nga misioni skenarit.

Kjo vetvetiu nxitë pyetjen, pse heshti Stoltenberg, KOMKFOR, i cili ka përgjegjësi, ngase në ditën D, Kosova ka qenë jashtë kontrollit politik e ushtarak të KFOR?

Pra dallimi nga skenari Kumanova ishte se këtu planifikohej një depërtim me trupa, pajisje e armatim, njëjtë si ndërhyrja ruse në Donjetsk e Lohans në Ukrainë.

Kjo për faktin se, në manastir kishte armatim për armatosjen e një kompanie të këmbësorisë prej 200 pjesëtarësh.

Kur u futën ato? Nga çfarë drejtime, e si nuk vërehen nga vigjilenca kosovare?!

Po pretendohet se janë armë që kanë mbetur që nga lufta, atëherë si u bë që paskan qëndruar pa u identifikuar nga pushteti vendor atje dhe PUN?

Këto pretendime i demanton fakti se ishin armë dhe municione të mirëmbajtura.

Kishte armatime moderne si robotët luftëtarë të armatosur – një armë e re e Serbisë që e ka ekspozuar e testuar në ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Forcat ruse pas lufte kur u ngrit baza ruse e Nishit dhe ajo në afërsi të kufirit me Kosovën, nga viti 2009;

Mortaja 60 e 82mm (të cilat nuk figurojnë në listën e armatimeve të kapura të policisë  – pse?) që hyjnë në artilerinë e lehtë të këmbësorisë;

Automjete taktike të transformuar e veshura me blind;

Automjete jotaktike me shenja zyrtare identifikuese të KFOR-it (të cilat nuk figurojnë në listën e armatimeve të kapura të policisë – pse?);

Armë zjarri të këmbësorisë të të gjitha kalibrave nga pistoleta, pushkë automatike, mitraloz të lehtë e të rendë; mina kundër tank e kundër këmbësorisë (ofensive- MRUD), municione të të gjitha kalibrave.

*Kisha serbe në rolin e saj historik doktrinar

Të gjitha këto të ruajtura në Manastirin e Banjskës dhe objektet e tij përcjellëse.

Shtrohet çështja se a ka shërbyer manastiri si bazë e armatimeve dhe grupeve ushtarake e terroriste për strehim e stërvitje?!

Cili është roli i personelit kishtar aty?

A ka terroristë ushtarakë që kamuflohen nën petkun fetar?

Si kanë reaguar deri me sot?

Cili duhet të jetë roli i kishave dhe manastireve sipas kanoneve kishtare, ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës?

Po nëse kalojnë si “prona të Serbisë” kjo trashëgimi fetare ortodokse e jona, kisha e manastire, sipas vendimit të gjykatës e negociatave, pastaj edhe me status eksterritorialiteti sipas pikës shtatë të planit franko-gjerman, i marrëveshjes së Brukselit e Ohrit për çka do të shërbejnë?!

Çka atëherë, kur edhe s’mund të kemi qasje kontrolli si shtet?

Po çfarë nëse edhe xhamitë na kthehen në baza të grupeve ekstreme fetare?

Ku do të përfundojmë si shoqëri e shtet?

Asaj që i jam frikuar shumë është se ky aksion ka mundur të realizohet në Kosovën Lindore.

Atje do i kishte dëmtuar shqiptarët, duke provokuar largimin masovik të tyre, të cilëve edhe ashtu po iu shuhen adresat, identiteti autokton në atë trevë e po ju tjetërsohen pronat.

*Skenari “infiltrimi i grupit terrorist-skenari i ndaluar po i pa përfunduar”

Tani thjesht ngre një shqetësim, se Serbia dhe grupi kriminal i xhandarmërisë, pjesëtarë të organizatave terroristë të shpallura nga Qeveria Kosovës, mund të hakmerren, duke pretenduar të sulmojnë me armë të goditjes në distancë, dhe të arsyetohen se prapë sulmin e kanë kryer grupi terrorist. Çka nuk e bën përgjegjëse drejtpërdrejtë Serbinë e Vuçiqin.

Unë i bej thirrje KFOR dhe Shtetit që ka nën kompetencë hapësirën ajrore të Kosovës, të jenë në gjendje gatishmërie, pasi që sipas informacioneve, Brigada parashutiste e Forcave të Armatosura të Serbisë është dislokuar në afërsi të Kosovës, në zonën e Rashkës.

Se kjo nuk mund t’i faturohet zhvillimeve që po cilësohen si terroriste, etj., flet po ashtu reagimi në sinkron i shumë qarqeve politike me zë në Ballkan dhe Evropë, me idenë e një “konference ndërkombëtare” një “mini-Dejtoni”, etj.

Republika e Kosovës, tashmë e ka bërë zgjidhjen politike me pavarësinë, të cilën e ka të njohur nga bota, me theks ShBA-ja në kufijtë aktual.

Dialogu është rruga e normalizimit duke marr obligime ndërkombëtare kontraktuale.

Në kohën e demarkimit është pranua se kufijtë e Kosovës janë në flamurin e saj.

Serbia i ka pranua këta kufij, kur pas marrëveshjes së Kumanovës, i ka tërhequr forcat nga vija kufitare, 5 km të hapësirës tokësore, plus 25 km të hapësirës ajrore.

Kjo ka ardhur si rezultat, se ka negociuar NATO-ja, përndryshe si shqiptar në të drejtën historike unë kisha kërkuar që kufiri të jetë për “gur të shpuar”, kisha kërkuar që Republikës së Kosovës t’i bashkëngjitet edhe Kosova Lindore që është më shumë rëndësi sa Çamëria në jug të Shqipërisë.

Por, sot Kosova duhet të njihet në këta kufij.

Kërkimi i një “Dejton te ri”, është mohim i kësaj qe është arritur.

Kosova se njeh askënd tjetër si ndërmjetës përveç ShBA-në.

*Përmbyllja e dialogut dhe konsolidimi i shtetit te Kosovës

Nuk ka nevojë të diskutohen kufijtë, por njohja e realitetit të ri nga Serbia, dhe njohja e Kosovës nga pesëshja evropiane dhe hapja e rrugës për integrime euroatlantike të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.

KFOR-i duhet t’i garantojë kufijtë e Kosovës që të mos depërtojnë trupat ushtarake as terroriste e të na i cenojnë manastiret dhe trashëgiminë ortodokse, në mbrojtjen tonë.

Nuk jam dakord as me idetë që po përpiqen të zënë vend në diskutimet publike për lëvizjen e kufijve. Aktualisht duhet ta stabilizojmë këtë Kosovë që po ndërtojmë. Kurse shqiptarët në trevat e tyre autoktone si në Kosovë Lindore, Rashkë e Sanxhak të krijojnë identitetin e vet shtetëror. Por, edhe të jenë popull shtet formues në shtetet ku jetojnë në trevat e tyre autoktone, si Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Të kemi industri të mbrojtjes dhe të avancojmë me kapacitetet e FAK-ut.

Të mos trajtohemi me fusnota të UNMIK-ut, por të zhvillohemi si shtet stabil siç është shembull Luksemburgu.

Të afrohemi e lidhemi me Shqipërinë dhe shtetet përreth, ku komuniteti shqiptar autokton na shërben si urë lidhëse.