13:55 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Anglisë i shtohet një tjetër variant i ri i virusit në listën e vëzhgimit

Shkencëtarët kanë identifikuar 16 raste të një varianti tjetër të ri të koronavirusit, në Angli.

Shëndeti publik në Angli e ka cilësuar atë si një “variant nën hetim” që do të thotë se është në listën e tyre të vëzhgimit, por nuk është ende një variant për të cilin duhet të shqetësohemi menjëherë.

Ka një mutacion të përbashkët me variantet e Afrikës së Jugut dhe Brazilit, raporton BBC-i.

Ky ndryshim, E484K mund të ndihmojë virusin që të dobësojë imunitetin nga vaksinimi ose infeksioni paraprak, sipas ekspertëve.

Rastet u identifikuan për herë të parë, më 15 shkurt nga sistemi i mbikëqyrjes së varianteve në Angli.

Ekspertët dyshojnë se ajo e ka origjinën në Mbretërinë e Bashkuar.

Të 16 individët që kanë rezultuar pozitivë dhe kontaktet e tyre, janë këshilluar që të izolohen.

Deri tani Britania e Madhe ka 8 variante në listën e saj të vëzhgimit.