10:54 / E Diele, 02 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Anulojeni çdo plan për sot, para vetes do të kemi shumë derbi

Çdo plan që e keni bërë për ditën e sotme duhet ta anuloni, sepse sot është dita, ku do të zhvillohen shumë derbi.

Kjo frazë vlen vetëm për futbolldashësit, e normalisht, nga kjo do t’i bien ”viktimë” miqtë, partnerët, apo edhe fëmijët e tyre.

Saktësisht, e diela e sotme do të sjellë gjithsej 7 derbi lokal, transmeton IndeksOnline.

Në Premier League, do të zhvillohen gjithsej tre derbi – e dy prej tyre do të zhvillohen në Londër.

Në ”Stamford Brdige”, Chelsea është nikoqir i Fulhamit, ku synon të reagojë pas humbjes turpëruese nga Tottenhami fundjavën e kaluar.

Ndërsa, derbi tjetër londinez që do të zhvillohet sot është mes Arsenalit dhe Tottenhami.

Në një ecuri të gjatë pa humbje, Arsenali synon ta mposhtë sot Tottenhamin, për t’u futur në katër pozitat e para, ani pse një gjë e tillë do të jetë e vështirë duke u bazuar në formën e Spurs.

Tutje, në derbin e Marseysides, takohen Liverpooli dhe Evertoni në derbin e parë të këtij sezoni, në një ndeshje ku Xherdan Shaqiri kërkon të luajë dhe ta bëjë diferencën.

Nga ana tjetër, derbi interesant pritet të zhvillohet edhe në Holandë dhe Rusi. Në kuadër të Eredivisie, Feyenoord është nikoqir i PSV-s, teksa në Rusi, Spartaku i Moskës pret Lokomotivën.

Përveç kësaj, në Superligën e Turqisë, do të zhvillohet ndoshta derbi më i zjarrtë në planet – mes Besiktasit dhe Galatasarayt.

Vetëm në stërvitjen e djeshme, ishin të pranishëm mbi 40 mijë tifozë për ta ndjekur këtë seancë duke dhuruar një atmosferë brilliante, e imagjinojeni se çfarë atmosfere do të jetë sonte!

Për fund, në Serie A italiane do të zhvillohet kryendeshja e kësaj jave në kryeqytet mes Romës dhe Interit.

Kjo ndeshje do të nënkuptojë shumë, ku Interi kërkon ta përforcojë vendin e tretë, ndërsa Roma t’i afrohet edhe më shumë katër pozitave të para./IndeksOnline/