15:30 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Apostolova: Të lihen mënjanë dallimet politike, debatet e padobishme, të ndihmohen qytetarët në kohën e COVID-19

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka deklaruar se qytetarët e Kosovës, si shumë nga ata në Evropë dhe mbarë botën po përballen me një krizë të pashembullt shëndetësore, e cila urgjentisht ka nevojë për një përgjigje në kohën e duhur nga të gjitha autoritetet e vendit, e shoqëruar dhe me bashkëpunim me të gjithë qytetarët e saj.

Apostolova tha se vetëm përmes një fryme bashkëpunuese mund të kalohen efektet e pandemisë COVID-19, transmeton Indeksonline.

Ajo shtoi se është shumë me rëndësi që shërbimet të arrijnë në çdo pjesë të komunitetit dhe shoqërisë.

“Në rrethana të tilla është koha të lihen mënjanë dallimet politike dhe debatet e padobishme. Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin rajonal në mënyrë që të ofrohet çdo ndihmë e mundshme për ata që preken nga COVID-19. Në këtë kontekst unë e përkrahi deklaratën e përbashkët të lëshuar nga ministri Vitia dhe ministri Jevtiq (më 2 prill 2020) dhe të gjitha përpjekjet e tjera të institucioneve të Kosovës që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe ofrimin e mbështetjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, shtoi Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së tha se është shumë me rëndësi që qytetarët, në të tërë Kosovën, në çdo komunë të marrin informatat e qarta se cilat shërbime janë në dispozicion të tyre dhe si mund të ndihmohen në parandalimin e infektimit./Indeksonline/