10:47 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Apple vs Samsung, beteja pambarim…

Betejat ligjore në lidhje me të drejtat e autorit mes Apple dhe Samsung nuk kanë fund. Dy kompanitë më të mëdha në fushën e telefonave inteligjentë, përballen në serinë e tretë për një set prej pesë patentash.

Bëhet fjalë për një proces që ka nisur prej vitesh, e që Apple e fitoi në 2012, duke detyruar Samsung që të paguajë 1.05 miliardë dollarë si dëmshpërblim për kompaninë amerikane.

Shuma u reduktua në 400 milionë pas apelimit të kompanisë koreano-jugore, që nuk u dorëzua me kaq, por vendosi që ta dërgojë çështjen në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara.

Kjo e fundit duhet të vendosë nëse mënyra dhe metodika e përdorur për të përllogaritur dëmet që i janë shkaktuar Apple qëndrojnë apo jo.

Por edhe në këtë gjykatë procesi nuk është i thjeshtë. Pas seancës së parë dëgjimore, palët kërkuan një tjetër të tillë me pretendimin se kanë prova të reja, që u japin të drejtë.

Gjykatësja Lucy Koh, që ishte anëtare në gjykimin fillestar deklaroi se ka ndërmend që të aplikojë rregullin e famshëm “Groundhog Day”, si referencë e filmit të vitit 1993, ku procesi përsërit vetveten duke u ndaluar kompanive paraqitjen e provave të reja.

Kjo do të thotë se gjykatësit do t’i qëndrojnë vendimit të parë, që Samsung kopjoi tri patenta dezajni të iPhone dhe dy patenta të tjera në sistemin e kameras.

Por, kjo nuk do të thotë se si shpërblim ndaj Apple do të jetë e njëjta shumë, pasi mund të vendoset për një shifër më të vogël, nëse përllogaritet dëmi real që Samsung pretendon se nuk ekziston.

Temat: