20:20 / E Premte, 20 Maj 2022 / OSH

Arben Vitia nis punën si drejtor në laboratorin Olive Medical (Video)

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish=kandidati i Vetvendosjes për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia sot është paraqitur në publik nga detyra e re, raporton IndeksOnline.

Ai sot zyrtarisht është deklaruar si drejtor i laboratorit më të madh në vend, Olive medical.

Vitia bashkë me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe atë të komunës së Skenderajt, Fadil Nura morën pjesë në hapjen e pikës së re të laboratorit në Mitrovicë.

“Investimi i bërë këtu ka disa parametra të domosdoshëm për të garantuar shërbime të sigurta. Nga aspekti teknik dhe infrastrukturor, por edhe me profesionistët shëndetësorë, plotëson kushtet e një qendre shëndetesore bashkëkohore, që përplotëson shërbimet për pacientët duke pasur në vëmendje standardet evropiane të shërbimeve shëndetësore”, ka thënë Vitia.

Dje në qendrën e OLIVE në Prishtinë këto standarde u konfirmuan edhe me akreditimin e laboratorit me certfikatën e cilësisë ISO 15189.

“Me këtë rast OLIVE i ofron pacientëve qendrën e parë me laborator të certifikuar me këto standarde. Natyrisht kjo tregon angazhimin dhe përkushtimin shumë vjecar të stafit dhe menaxhmentit të OLIVE medical. Ndaj jam i nderuar që jemi këtu bashkë në hapjen e kësaj qendre, e cila do të jetë vlerë e shtuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës por jo vetëm”, ka thënë ai.

Vitia kishte fituar respektin e qytetarëve gjatë kohës kur ishte ministër i Shëndetësisë në kohën kur kishte shpërthyer pandemia Covid-19.

Në zgjedhjet e fundit për kryetar të Prishtinës, ai u mposht për pak vota nga Përparim Rama i LDK-së./IndeksOnline/