10:22 / E Enjte, 12 Tetor 2023 / L K

Arrestohen katër persona, shisnin bileta për Çeki-Shqipëri deri në 400 euro

Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar katër persona të cilët reklamonin në rrjetet sopciale dhe shisnin me anë të mashtrimit, bileta për ndeshjen e ditës së sotme, me çmime shumë të larta, Çeki-Shqipëri.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, pas informacioneve të siguruara për disa shtetas, të cilët reklamonin në rrjete sociale dhe shisnin me anë të mashtrimit, bileta për ndeshjen e ditës së sotme, me çmime shumë të larta, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. A., 35 vjeç, R. H., 22 vjeç, A. O., 31 vjeç dhe E. Gj., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi për shitjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime që shkonin deri në 400 euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit./Indeksonline/