Arrestohet 22 vjeçari për grabitje në një market të Podujevës
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës, sot është arrestuar një person për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm që mund të jetë i përfshirë në një rast të grabitjes.
Rasti ka ndodhur me datën 20.10.2018 në fshatin Shtedim, saktësisht në një market, ku viktimës (femër), nën kërcënimin e armës së ftohtë (thikë), i janë grabitur një sasi e parave, transmeton Indeksonline.
Puna e hetuesve policor të stacionit të Podujevës, e cila është finalizuar sot, ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar E.Ll, mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Ndaj tij, prokurori i shtetit ka shqiptuar masën e ndalimit për 48 orë, ndërkohë që hetuesit policor janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale. /Indeksonline/