Arrestohet krahu i djathtë i Met Kananit, ‘Eskobarit’ shqiptar të drogës
Në prangat e policisë ka rënë bashkëpunëtori i Met Kananit i njohur në Turqi si Eskobari shqiptar i trafikut të drogës, i arrestuar në mars të këtij viti nga autoritetet turke, teksa priste një ngarkesë prej 1.1 ton kanabis.
VLORE – Arrestohet në Vlorë gjatë një operacioni të madh antidrogë krahu i djathtë i Met Kananit, i njohur si “Eskobari” shqiptar i trafikut të drogës, i arrestuar në Turqi në maj të këtij viti. Në prangat e policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Preçizioni”, ka rënë Besmir Lupi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Lupi njihet si bashkëpunëtor i Met Kananit, i cili u arrestua në mars të këtij viti në Turqi, teksa priste një ngarkesë prej 1.1 ton lëndë narkotike të llojit kanabis, e cila vinte nga Shqipëria.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë Nr.96 datë 11.05.2018, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Besmir Lupi, bashkëpunëtori i Met Kananit, i arrestuar sot në Vlorë
Në kuadër të këtij operacioni, njofton policia, është arrestuar më parë nga Policia turke edhe kreu i grupit të strukturuar kriminal Met Kanani, i quajtur nga mediat turke “Met shqiptari” apo dhe “Eskobari” shqiptar, i cili kontrollonte rrugët e trafikut të heroinës nga Afganistani, Irani dhe Turqia drejt Europës. Met Kanani dhe Bilbil Heqimi ishin dy drejtuesit e grupit kriminal. Grupi funksiononte në formë hierarkie siç duket edhe nga skema e mëposhtme, në krye të të cilit ishte Met Xhevahir Kanani.
Skema si Met Kanani trafikonte kanabis nga Shqipëria
Si funksiononte banda, Met Kanani koka i grupit kriminal
Besmir Lupi ishte një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Met Kananit. Ndërkohë, burime për Report Tv theksojnë janë shoqëruar nga policia edhe dy persona të tjerë, pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal që merrej me trafikun e drogave të forta. Pas arrestimit të Met Kananit në Turqi, operacioni u shtri edhe në Shqipëri në muajin maj të këtij viti kur u arrestuan 13 pjesëtarë të këtij grupi kriminal. E gjtihë banda kriminale përbëhej nga 66 persona të kombësive të ndryshme, pjesa dërrmuese e të cilëve janë arrestuar tashmë.