13:12 / E Martë, 03 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Arrestohet Mehmet Kollqaku për sulmin fizik ndaj drejtorit të Inspeksionit, në Pejë

Policia e Kosovës në vendkalimin kufitar – Merdar ka arrestuar të dyshuarin e dytë për veprat “lëndim i lehtë trupor” dhe “asgjësim apo dëmtim i pronës”, shtetasin kosovare, Mehmet Kollqaku, i lindur në vitin 1987, i cili ishte i shpallur në kërkim të policisë për veprat e cituara më sipër.

“I dyshuari së bashku me një të dyshuar tjetër i cili është arrestuar më 18.11.2019, më 16.11.2019 rreth orës 00:50 në një lokal në rr. “Aleksandër Moisiu” në Pejë, kanë sulmuar tre persona të cilëve u kanë shkaktuar lëndime trupore, me ҫ’rast viktimat ishin dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin për media.

I pandehuri Ardian Qelaj, bashkë me të pandehurin Mehmet Kollqaku i cili ndodhej në arrati u kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Leotrim Murtezaj, njëherit drejtor i Inspeksionit të Pejës, si edhe dy zyrtarëve të kësaj drejtorie, Mentor Beqirit dhe Dardan Bërlajollit, raporton Indeksonline.

Ndryshe për arrestimin e Kollqakut, të gjitha veprimet janë koordinuar me Prokurorin e Shtetit. Ndaj të dyshuarit shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore./Indeksonline/