23:46 / E Enjte, 10 Qershor 2021 / OSH

Arrestohet një person në Merdare, dyshohet për kontrabandim me emigrantë

Sot në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) Merdare në dalje të Republikës së Kosovës, është kontrolluar një veturë me targa italiane, në të cilën ishin pesë persona, dy shtetas të Sllovakisë (nënë e djalë, vitet e lindjes 1986 dhe 2017), një mashkull kosovar Q.P. (1996) dhe dy të mitur meshkuj kosovarë.

Policia e Kosovës njoftoi se është intervistuar Q.P dhe dy viktimat meshkuj kosovarë në prezencë të prindërve të tyre.

“Policia gjatë trajtimit të personave krijojnë dyshimin se mund të jetë ky një rast i trafikimit me emigrant. Policia ka intervistuar të dyshuarin Q.P. në prezencë të avokatit të tij. Po ashtu janë intervistuar edhe dy viktimat (të miturit, meshkuj kosovarë) në prezencë të prindërve të tyre.

Gjatë procedurave të intervistimit dhe provave tjera, dyshohet se dy të miturit, meshkuj kosovarë, kishin marrëveshje paraprake me të dyshuarin që të dërgoheshin në Itali pa poseduar dokumente për të lëvizur në zonën shengen”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare me aktvendim të së cilës i dyshuari dërgohet në mbajtje nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘kontrabanda me emigrantë’.