16:10 / E Mërkurë, 03 Mars 2021 / AR

Grabiti të holla gjatë transportit në bankë, arrestohet llapjani 31-vjeçar

Policia e rajonit të Prishtinës në vazhdën e masave dhe veprimeve policore që po ndërmerr me qëllim parandalimin e rasteve kriminale si dhe kapjen e personave të dyshuar si autorë të veprave të inkriminuara, sot ka kryer një operacion të gjerë i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për grabitje.

Ngjarja ka ndodhur më 26.10.2020, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë- Kosovë, me ç’ rast nga personeli i një subjekti afarist, ishte grabitur një vlerë e konsiderueshme parash, përderisa po i transportonin ato për ti deponuar në bankë.

Operacioni i bastisjes është kryer sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Shtedim  të Podujevës me ç’ rast policia ka arritur të arrestonte të dyshuarin;

A. H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet të jetë përfshirë në rastin e sipërcekur.

Ndërlidhur me rastin policia ka sekuestruar edhe një automjet të llojit  Pick-Up, i cili bazuar në rezultatet e hetimit të deritashëm dyshohet të jetë automjeti i shfrytëzuar për ikje.

Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si edhe ato operativo – policore në përputhje me aktvendimin e nxjerr nga prokurori i shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar më tej.