15:44 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Arriti fitoren historike/ Graniti inspirohet nga Nadali, flet edhe për kushtet e tenisit në Kosovë (Video/Foto)

Edhe pse është një nga sportet më të shtrenjta në botë, në Kosovë sporti i tenisit ka pak perspektivë dhe mbështetje!

Përfaqësuesja e Kosovës ishte pjesëmarrëse e turneut “Davies Cup” për herë të tretë radhazi, por nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje në çifte ku si kundërshtarë kishte; Moldavinë, Maltën dhe Lichtensteinit, shkruan IndeksOnline.

Por, fat i mirë dhe historik ishte fitorja e tenistit Granit Bajraliu, i cili mposhti tenistin nga Moldavia, Vasilii Dontu.

Graniti ka folur për IndeksOnline, duke rrëfyer emocionet që kishte për këtë fitore historike për popullin kosovar.

“Ishte një ndjenjë dhe emocion i veçantë, atmosfera e kënaqshme dhe mezi pritej përfundimi i poenit të fundit kur edhe përfundova me fitore. Ishte diçka që nuk e kisha përjetuar më parë duke e ditur që përball kisha një kundërshtar të fortë”, ka thënë Bajraliu.

Sporti i tenisit është një nga më të pasurat, për të mos thënë më e pasura në botë! Por si qëndrojnë kushtet në Kosovë? Tregon Graniti.

“Tenisi është në rritje ka masivizim ka hapa pozitiv në ndërtimin e fushave të tenisit dhe besoj që në një të ardhme të afërt ky sport do të lulëzoj tek ne”, shtoi kosovari për IndeksOnline.

Si çdo sportist edhe Granit Bajraliu e ka një idhull të tij, e ai është 16-herë fituesi i Grand Slam (Australian Open, French Open, Wimbledon dhe US Open), Rafael Nadal.

Bajraliu  fitoi 2 me 1 në sete (6-0, 3-6 dhe 5-7) kundër tenistit nga Moldavia. Kjo ishte fitorja e parë dhe e vetme e Kosovës në këtë turne. Ai kërkon nga shteti që të ketë hapësira dhe investime për t’u përmirësuar sporti i tenist dukshëm në vend.

“Kosova ka nevojë për hapësira, ka nevojë për investime të mëdha në sportin e tenisit. Duhet për të investuar në terene, dhe aty mund të vërehet një rritje e dukshme e këtij sporti”, është shprehur për fund tenisti kosovar.

Kujtojmë se ekipi kosovar në “Davis Cup” ishte i përbërë nga; Genc Selita, Granit Bajraliu, Burim Bytyqi, Muhamed Zulji dhe kapiten/ Jeton Hadergjonaj./IndeksOnline/Granit Tërstena/