23:17 / E Enjte, 14 Mars 2019

Arsenal kalon tutje në Europa Ligë, shkëlqen “Panteri i Zi”

Arsenali ka përmbysur rezultatin ndaj Rennes në “Emirates” duke kualifikuar për në çerekfinale të Europa League

Pas humbjes 3-1 në udhëtim, Arsenali ka treguar dhëmbët në takimin e dytë, për të fituar 3-0, duke u kualifikuar kështu në çerekfinale të Europa League.

“Topçinjtë” e nisën shumë mirë takimin, duke gjetur golin e parë pas 5 minutave lojë, Pierre-Emerick Aubameyang ishte ai që zhbllokoi rezultatin.

Kurse për 2-0 shënoi mesfushori i ri, që po luan si mbrojtës i djathtë, Ainsley Maitland-Niles, në minutën e 15’, pas një asisti nga ana e Aubameyang.

Kjo ishte nata e ish-sulmuesit të Borussia Dortmundit, që gjeti një tjetër gol në këtë ndeshje, të dytin personal dhe të tretin për ekipin e tij në minutën e 72’.

Kështu, Xhaka dhe Mustafi, që startuan për “Topçinjtë”, do të mësojnë rivalin të premten në shortin që do të hidhet në ora 13:00.