13:17 / E Hënë, 18 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Arsimtarja, që kërcënoi me jetë nënën e nxënësit, ishte suspenduar me herët për shkelje disiplinore

Arsimtarja e historisë, Afërdita Misini, të enjtën rreth orës 11:00 u arrestua nga Policia e Kosovës në oborrin e shkollës ku punonte, atë “Emin Duraku”, në Prishtinë.

Ajo u shoqërua në stacionin policor me dyshimin se ajo kishte kërcënuar me vrasje nënën e një nxënësi, pavarësisht se prindërit pak ditë më parë ishin mbledhur në oborrin e shkollës për ta ndaluar hyrjen e saj me pretendimin se Misini po abuzonte me fëmijët e tyre.

Në lidhje me këtë rast për Indeksonlinen ka folur edhe Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.  Ajo ka thënë se kanë qenë të informuar në lidhje me rastin e revoltës së prindërve, derisa ka shtuar se DKA-ja ka dalë në shkollë për ta shqyrtuar rastin.

“Javën e kaluar drejtori i shkollës e ka rapotuar një problem që e ka pasur me mësidhënësen në fjalë, disa fyerje që mësidhënësja ia ka bërë drejtorit.

Gjithashtu nga drejtori kemi marrë informatën se prindërit i kanë ndalur nxënësit nga shkolla dhe kanë protestuar në oborrin e shkollës, sipas tyre për fyerje te vazhdueshme që mësimdhënsja au bën nxënësve.

DKA-ja ka dal në shkollë për të shqyrtuar rastin, më pas ka dalë edhe Inspektorati i Arsimit. Tashti drejtori ka derguar ankesën në komisionin disiplinor në nivel komunal”.

Shala, ka thënë se komisioni diciplinor në bazë të fakteve do të vendosë për largimin apo jo të mësimdhënëses Afërdita Misini, derisa ka treguar se ajo është transferuar nga një shkollë tjetër, pikërisht për shkak të disa shkeljeve disiplinore.

“Sa për informacionin tuaj mësimdhënësja Afërdita Misini është mësimdhënëse  që 25 vjet, fillimisht në SHFMU “Pjetër Bogdani” që për shkak të disa shkeljeve si masë disiplinore është transferuar në SHFMU “Emin Duraku”.

Edhe këtu pas ankesava nga menaxhmenti i shkollës, prindërit dhe nxënësit, komisioni disiplinor në nivel komunal e ka larguar nga puna për mos kryerjen e punëve dhe detyrave që parashihen në kontratën e punës dhe disa shkeljeve.

Në gusht ne kemi pranuar një vendim nga gjykata me të cilin na obligon në kthimin e vendin e punës të mësimdhënëses, Afërdita Misini”./Indeksonline/