11:36 / E Mërkurë, 11 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

S’ka marrëveshje as sot midis LDK-së dhe VV-së, Kurti merret me Ligjin për pagat

As sot nuk pritet ndonjë takim midis 2 liderëve, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Isa Mustafës dhe Albin Kurti, shkruan IndeksOnline.

Burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje, i kanë thënë IndeksOnlinet se as sot nuk është planifikuar ndonjë takim midis Kurtit e Mustafës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe i LDK-së, Isa Mustafa, janë takuar disa herë radhazi, për të finalizuar marrëveshjen mes këtyre dy partive.

Pas takimeve të shumta, ende nuk ka ndonjë marrëveshje midis këtyre dy partive, pasi siç edhe thuhet, të dyja këto parti nuk po mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për ndarjen e pozitave.

Përveç ndarjes së ministrive, por edhe pozitës së kryeparlamentarit, në tavolinën e diskutimeve të këtyre dy partive, ishte shtruar edhe pozita e presidentit.

Pikërisht kjo pozitë, ishte ajo që shpesh herë kohët e fundit, i përplasi dy partitë të cilat synojnë qeverisjen, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ndonëse nuk kanë dhënë emra të përveçëm, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kishte thënë se nëse nuk arrihet të zgjidhet çështja e presidentit, LDK-ja do të shkojë në opozitë. /IndeksOnline/