Asambleja e PS analizon 100 ditët e para të qeverisjes “Rama2”
Partia Socialiste do të mbledhë sot në orën 10:00 të paradites Asamblenë Kombëtare. Në këtë mbledhje është parashikuar të bëhet edhe një analizë e qeverisjes së socialistëve në 100 ditët e para, por edhe prioritetet për vitin 2018.
Mësohet se ministrat e qeverisë “Rama2” do të bëjnë bilancin në realizimit të objektivave që prezantuan 3 muaj më parë në asamblenë e 7 tetorit.
Kjo është analiza e parë që qeveria bën për qeverisjen e saj e vetme, ndërsa peshën ia ka vënë dhe bashkëqeverisjes me qytetarët.
Se si ka ecur platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët, do të ketë një raportim të Koordinatores Kombëtare për Bashkëqeverisje, Elisa Spiropali, e cila zëvendësoi Saimir Tahirin në këtë detyrë.
Në mbledhjen e së shtunës, sekretariati ekzekutiv mësohet se do të pësojë ndryshime. Pritet të ketë emërime të reja të sekretarëve, duke ndryshuar dhe funksionin e tyre, ndërsa nuk priten ndryshime të emrave aktualë.
Aktualisht 8 sekretarët e PS janë: Bashkim Fino, Alfred Peza, Musa Ulqini, Stefan Çipa, Elisa Spiropali, Blerina Gjylameti, Ilir Beqaj dhe Taulant Balla, i cili prej muajsh mban postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste. Në asamble pritet të mbajë fjalën e tij edhe kryeministri Rama.