18:47 / E Enjte, 13 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Ashkalinjtë të indinjuar me Kurtin: Na injorove, e shkele Kushtetutën!

Dhjetëra persona kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës kundër kryeministrit të Republikës, Albin Kurti.

Bëhet fjalë për komunitetin Ashakali, të cilët janë shprehur të indinjuar me mos-ndarjen e mjeteve nga qeveria e re për festën e tyre, 15 shkurtin.

Albin Kurti u organizoi koktej në ditën e tyre, ashkalinjët nuk i shkojnë

Ish-deputeti, Danush Ademi, në një deklaratë për “Indeksonline”, theksoi se Kurti e shkeli Kushtetutën me veprimin e tij për injorimin e Ashkalinjve.

“Pas 17 vite të flamurit kombëtar, i bën edhe dy ditë që festohet, kryeministri i ri, Albin Kurti e ka shkelë Republikën e Kosovës. Me Kushtetutë u garantohet të gjitha komuniteteve që festa kombëtare të festohet. 15 shkurti”, është shprehur ai.

Sipas tij, kryeministri nuk ka gjetur mundësi që së paku ta përkrahë festën zyrtare të cilën e kanë komunitet.

“Qeveria të na përkrah me mjete financiare. Financim solid, deri 10, 12 mijë euro.  50, 60, 500 mijë e ndoshta edhe 1 milionë euro janë shfrytëzuar për festa të tjera. E sot Kurti s’ka ndarë për neve që t’i ndaj 10 mijë, apo së paku 2000 euro për komunitetin tonë”, ka thënë ai.

Edhe deputeti Hetem Arifi u shpreh i mllefosur me këtë veprim.

Ndryshe, me rastin e shënimit të Ditës së komunitetit Ashkali, Zyra për Çështje të Komuniteteve organizoi një koktej rasti, por që ky organizim nuk ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të këtij komuniteti.

Derisa kryeministri Albin Kurti, shprehu keqardhje që deputeti nga radhët e komunitetit ashkali Etem Arifi dhe disa përfaqësues të disa organizatave kanë bojkotuar këtë koktej për shkak të disa mosmarrëveshjeve.

Ai ka deklaruar se nuk do të ndahen mjete për komunitetet pa respektuar procedurat.

“Ne Kosovë kultivojmë diversitetin si pasuri dhe qytetarët të trajtohen pa diskriminim pa privilegje. Komuniteti ashkali është i sulmuar nga varfërisë dhe papunësia të cilat duhet të zbutën nga Qeveria jonë. Do të ndihmojmë ata që kanë nevojat më të mëdha”. /Indeksonline/