10:24 / E Enjte, 24 Maj 2018 / indeksADMonline

“Asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka përfunduar mandatin deri në fund”

As kohëzgjatja jetëshkurtër e qeverive, as rritja e paqëndrueshmërisë politike nuk paraqesin kërcënime të rënda ndaj demokratizimit të Kosovës.

Kështu u tha në prezantimin e raportit të Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D), me titull “’Demokracia e Kosovës në rrezik?”, raporton Indeksonline.

Prezantuesi i raportit, Krenar Gashi tha se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin deri në fund.

“Në fokus janë zgjedhjet e vitit 2014 dhe kriza institucionale që pasoi. Qeveritë e Kosovës kanë jetëgjatësi kosolide. Në krahasim me vendet e tjera, ani pse nuk kanë qenë të plota nuk janë aq të dëmshme për demokracinë e vendit”, ka thënë Gashi.

Në bazë të studimit janë nxjerrë disa rekomandime si:

– Partitë duhet ta ndryshojnë nenin 67 të Kushtetutës e cila lejon që një parti që nuk e ka shumicën ta kontrolloj dhe potencialisht ta bllokoj procesin e konstituimit të Kuvendit.

– Partitë duhet të jenë më të vetëdijshme për nevojën e respektimit të normave elementare demokratike gjatë proceseve të ndjeshme te transferimit të pushtetit pas zgjedhjeve.

– Një pjesë e problemit në pazaret, apo bisedimet mbi koalicionet pas zgjedhjeve është tendenca e fokusimit në ndarjen e plaçkës politike, përfshirë këtu postet politike, të kënaqen fraksionet e ndryshme dhe elektoratet klienteliste.

– Po ashtu, akterët politikë duhet ta shfrytëzojnë kohën në opozitë më shumë që ti drejtojnë organizatat politike kah ndërtimi i programeve dhe politikave strategjike afatgjata, në mënyrë qe të konsiderohen te rëndësishëm vetëm pasi partia të këtë hyrë ne qeveri.

Por, në këtë raport theksohet së ka mungesë të demokracive brenda partive.

Politologia njëhërit, profesoreshë në Universitetit të Prishtinës, Jehona Lushtaku, ka thënë se partitë politike kanë mungesë vizioni për programet politike si dhe mungesë të kapaciteteve.

Sipas saj, ndërkombëtarizimi i partive do ti ndihmonte ndërkombëtarizimit të brendshëm në vetë partitë. /Indeksonline/