11:33 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

Auditori ia zbulon parregullsitë “Hortikulturës”

Ndërmarrja Publike “Hortikultura” e Komunës së Prishtinës që nga shtatori i vitit 2014 nuk ka bord të drejtorëve.

Kjo pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk i ka përzgjedhur ende ashtu siç kërkohet nga Ligji për Ndërmarrjet Publike të Kosovës.
Kjo gjetje është evidentuar në një raport të Zyra Kombëtare të Auditimit, ku thuhet se kjo ndërmarrje komunale që 4 vite funksionon pa bord të drejtorëve, shkruan Indeksonline.

Si pasojë e mospërzgjedhjes së bordit, katër zyrtarë të lartë të ndërmarrjes kryejnë punën e tyre ani pse nuk kanë kontrata, pasi u ka skaduar afati.

“Sipas Ligjit të Punës, kontratat me afate të caktuara, kanë të përcaktuara afatin kohor të marrëdhënies së punës. Gjatë testimeve tona kemi vërejtur se kontratat e katër zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes: Kryeshefit Ekzekutive, Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit, Sekretarit Korporativ dhe Auditorit të Brendshëm nga viti 2015 u kishte skaduar kontrata dhe ata vazhdojnë të ushtrojnë punën e tyre”, thuhet në këtë raport, transmeton Indeksonline.

Mos ripërtërija e kontratave të këtyre zyrtarëve ka ndodhur për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve. Mungesa e kontratave të zyrtarëve të lartë rrezikon funksionimin dhe arritjen e synimeve të Ndërmarrjes.

Përveç kësaj, një zyrtar i prokurimit nuk ka kontratë të marrëdhënies së punës që nga viti 2010. Ky zyrtar punon vetëm me një vendim i cili nuk ka afat kohor.
Pavarësisht që sipas ligjit kontrata është një formë e shkruar dhe e nënshkruar nga punëdhënësi dhe i punësuari, ky zyrtar nuk ka.

“Ne kemi vërejtur se Zyrtari i Prokurimit nuk ka kontratë që nga viti 2010, por vetëm një vendim i cili nuk ka afate kohore. Po ashtu në vendim thuhet, se ky vendim është bazë për lidhjen e kontratës, mirëpo akti i themelimit të marrëveshjes kontraktuale nuk ka ndodhur. Kjo për shkak se menaxhmenti i Ndërmarrjes e ka konsideruar të mjaftueshëm vetëm vendimin. Mungesa e kontratës së zyrtarit rrezikon që të mos respektohet korniza ligjore në fuqi, madje juridikisht mund të kontestohen edhe kontratat të cilat i nënshkruan ky zyrtar në emër të Ndërmarrjes”, thuhet tutje në këtë raport.

Përveç kësaj, kjo ndërmarrje është vlerësuar e dobët në menaxhimin e pasurive. Madje, shuma prej 512 mijë e 772 euro të cilat komuna i ka dhënë donacion për të, nuk janë regjistruar fare.

“Pasuritë në vlerë prej 512,772€ të cilat ndërmarrja i ka pranuar si donacion nga Komuna e Prishtinës nuk janë të regjistruara fare në regjistrat e kontabilitetit të ndërmarrjes dhe për më tepër nuk posedojnë një marrëveshje ku do të specifikohen të drejtat dhe obligimet e të dyja palëve. Më tej, nuk ka rregullore të brendshme për menaxhimin e pasurive jo qarkulluese dhe nuk kishte caktuar një zyrtar për menaxhimin e pasurive”, shkruhet në këtë raport.

Kjo ndërmarrje ka bërë blerje të mallrave dhe shërbimeve pa respektuar procedurat e prokurimit.

Ndërmarrja për furnizime me material higjenik nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit mirëpo furnizimet ishin realizuar pa kontratë.

Po ashtu, çdo organizatë buxhetore, agjenci autonome ekzekutive dhe ndërmarrje publike duhet të ketë zyrtarin certifikues që siguron kushte të zbatueshme të një kontrate publike. Mirëpo, kjo kompani nuk ka.

Indeksonline ka kontaktuar zyrtarë për media në Komunën e Prishtinës lidhur me atë se pse nuk është përzgjedhur ende bordi i kësaj ndërmarrje.
Në një përgjigje të tyre, theksohet se aksionarët që caktohen nga Kuvendi Komunal zgjedhin anëtarët e bordit.

“Bordet nuk i zgjedhë Kuvendi, por aksionarët që caktohen nga Kuvendi. Aksionarët e ndërmarrjes në fjalë e kanë shpallur konkursin për anëtarë të bordit të drejtorëve, konkurs ky që ka qenë i hapur deri para pak ditësh”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Ata kanë shtuar se konkursi për anëtarët e bordit të drejtorëve është mbyllur para disa ditës, dhe se pas procedurave pritet të bëhet përzgjedhja./Indeksonline/