12:46 / E Hënë, 11 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Australia në zjarr, digjet bimësia e një hapësire më e madhe se Kosova

Rajonet në lindje të Australisë paralajmërojnë se të martën, vendi mund të përballet me një katastrofë të vërtetë zjarresh. Temperaturat e larta dhe erërat e forta po i përhapin flakët në mënyrë të rrezikshme dhe kanë vrar 3 persona.

Autoritetet australiane në rajonet lindore kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nga zjarret.

Qytetarëve u është bërë apel të lëshojnë banesat pasi kushtet atmosferike do të rëndohen më tej të martën.

“Dimë që moti nesër do të jetë në nivele edhe më katastrofike se në ditët e kaluara. Të gjithë duhet të jemi në gatishmëri dhe t’i bindemi zjarrfikësve për të mbrojtur jetët dhe pronat tona”, deklaroi shefja e ekzekutivit e New South Wales, Shane Fitzsimmons, shkruan Oranews”.

Në fundjavë, vatrat e zjarrit ua morën jetën tre personave dhe shkatërruan 150 banesa.

Mbi 1,000 zjarrfikës vullnetarë po luftojnë me flakët që nga lindje-perëndimi deri në jug të vendit.

Gjysma prej tyre nuk po kontrollohen dhe betejën po e vështirësojnë moti i nxehtë dhe erërat e forta.

Zjarret kërcënojnë edhe kryeqytetin, Sidnej.

“Makinën e kam gati. Nuk jam e sigurt, por mund të largohem me shpejtësi nëse situata vazhdon keq”, shprehet një banore.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike vetëm sa do e përkeqësojnë bilancin e fatkeqësive natyrore dhe zjarreve fushore në Australi.

Kujtojmë se muajve të fundit, rreth 11,000 kilometra katror – një zonë kjo më e madhe sesa Kosova – është djegur, sipas shërbimit të zjarrfikësve të New South Wales.

AFP-ja thotë se të hënën kushtet ishin më të mira dhe disa banorë u kthyen nëpër shtëpitë e tyre, ndonëse zjarre ka ende nëpër shume rajone.

Më së shumti pritet të goditen Malet e Kaltra në perëndim të Sidnejt, Lugina Hunter në veri e njohur për prodhimtarinë e verës si dhe rajoni Illawarra në jug të qytetit.