15:26 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Avokati i “Grupit të Kumanovës” pranon aktgjykimin prej 700 faqesh

Pala mbrojtëse e “Grupit të Kumanovës” ka pranuar aktgjykimin dhe tashmë pritet që të dërgojë ankesë lidhur me vendimin që u mor më 2 nëntor të vitit 2017 për 33 pjesëtarët e këtij grupi.

Avokati Naser Raufi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ankesën do e dorëzojë deri me datën 20 të këtij muaji.

“E kemi marrë aktgjykimin ende pa e përkthyer shqip, pra ai është i shkruar maqedonisht. Janë 700 faqe të aktgjykimit. Ndërsa për Sylejman Osmanin e kemi pranuar aktgjykimin prej 350 faqesh. Jemi duke e përgatitë ankesën, besoj se deri më datën 20 do ta dorëzoj. Ajo do dorëzohet në kohë”, ka sqaruar ai.

Tutje, ai ka thënë se pasi ta dorëzojë ankesën do të presë se si do të veprojë Ministria e Drejtësisë në Maqedoni rreth nisjes së hetimit ndërkombëtarë.

“Jemi duke e bërë ankesën dhe tani do presim se çka do të bëhet me hetimin ndërkombëtarë që të zbardhet rasti sipas ligjit tonë për ndihmë juridike. Kemi biseduar me Ministrinë e Drejtësisë tonë. Mendoj që ata po punojnë dhe tani do presin e do shohim se si do të vendosin e do veprojnë ata”, është shprehur Raufi.

Kujtojmë se ekipi i hetimit do të formohet nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria si dhe nga vendet të cilat do shprehin gatishmërinë që të ndihmojnë rreth këtij hetimi.

Më 2 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Shkupit iu ka shqiptuar dënimin me burg të përjetshëm tetë pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës”, derisa të tjerët u dënuan prej 10 deri në 20 vjet burg. Kjo, për shkak të konfliktit të armatosur në maj të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë./Indeksonline/