17:00 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Avokati i Popullit publikon raportin me rekomandime për largimin e ‘gylenistëve’

Avokati i Popullit ka publikuar raportin me rekomandime ‘Ex Offico’ me numër 214/2018 lidhur me arrestimin dhe largimin me forcë të gjashtë shtetasve turq nga territori i Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës sqarohet se qëllimi kryesor i raportit është tërheqja e vëmendjes autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave të personave të arrestuar dhe personave subjekt i largimit me forcë apo ekstradimit nga territori i Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, si dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Pas grumbullimit të informatave dhe analizës së rastit, Avokati i Popullit konstatoi se në rastin në fjalë autoritet e Republikës së Kosovës duke i dëbuar shtetasit turq, ata i ekspozuan në rrezik real për t’iu nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe  rrezikut real për shkelje serioze të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Avokati i Popullit thotë se autoritetet e Republikës së Kosovës të cilat dëbuan të huajt në fjalë nuk kanë bërë një vlerësim se cilat janë garancitë kundër keqtrajtimit fizik dhe torturës në shtetin e tyre të origjinës dhe pa e marrë parasysh situatën e të drejtave të njeriut në atë vend

“Për këtë arsye, Avokati i Popullit konstaton se në rastin në fjalë janë shkelur: Neni 29 paragrafi  2, 3 dhe 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës [E drejta e lirisë dhe sigurisë], Neni 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], Neni 32 [E drejta për mjete juridike], Neni 14, paragrafi 1, Neni 15, Neni 16 paragrafi 1 dhe 2, Neni 17, paragrafi 2 dhe 6 Ligjit nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Ndërkombëtarë Juridik në Çështje Penale, Neni 8 dhe 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Neni 9, paragrafi 1 dhe 2, Neni 13 të Paktit Ndërkombëtarë për të Drejtat Civile dhe Politike, Neni 5, 6 dhe 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, Neni 1 paragrafi 1 të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, Neni 3 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve a Dënimeve të Tjera Mizore Çnjerëzore ose Poshtëruese”, thuhet më tej në komunikatë.

Po ashtu, Avokati i Popullit, vlerëson se autoritet e Republikës së Kosovës nuk kanë vepruan në pajtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e cila në vendimet e saj për raste të tilla shprehimisht ka theksuar se shtetet në asnjë rrethanë nuk mund të dëbojnë një të huajë në territorin e një shteti ku ai mund t’i ekspozohet rrezikut për t’u torturuar dhe keqtrajtuar fizikisht.

Gjykata theksoi se kjo ndalesë në nenin 3 të Konventës është e karakterit absolut dhe zbatohet edhe “në kohë lufte apo emergjencash tjera publike të cilat kërcënojnë kombin”.

Prandaj, bazuar në këto konstatime, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë si në vijim:

Me rastin e vlerësimit të statusit të të huajve në vendin tonë, të zbatohen me kujdes të gjitha garancitë dhe procedurat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventat ndërkombëtare, qoftë për dhënien e lejes së qëndrimit, largimit apo ekstradimit.

Ministria e Punëve të Brendshme të njoftojë shprehimisht personelin e saj lidhur me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Avokatit të Popullit sa i përket qasjes pa paralajmërim, në çdo vend dhe çdo kohë në vendet ku mbahen apo mund të mbahen personat e privuar nga liria.Ndërsa Qeverisë së Republikës së Kosovës i ka rekomanduar që të akordojë kompensim të përshtatshëm jo-material si shprehje e vullnetit të mirë dhe njohje për shkeljet e të drejtave të njeriut në frymën e nenit 41 të KEDNJ.

Ky raport me rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse përmes postës. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP./Indeksonline/