15:02 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Ayrton Senna/ Qe pse quhet legjendë, ndaloi makinën dhe ia shpëtoi jetën kundërshtarit (Video/Foto)

Ishte viti 1992, ku legjenda e Formula 1, Ayrton Senna bëri një nga veprimet më të mira që pak kush i bën në sportin e shpejtësisë.

Braziliani, i cili sot më 1 maj ka përvjetorin e 24 të vdekjes, pas incidentit tragjik në vitin 1994, shpëtoi kundërshtarin e tij, Erik Comas në praktikën e GP-së së Belgjikës në vitin 1992, shkruan IndeksOnline.

Gjatë Grand Prix të mbajtur në Belgjikë në vitin 1992, Erik Comas u përplas me murin dhe humbi vetëdijen; Aty afër me makinën e McLaren ishte Ayrton Senna i cili i fiku motorin e makinës së tij dhe i dha ndihmë Erik Comas-it deri sa personeli mjekësor u afrua në vendin e ngjarjes.

Comas humbi garën, por nuk u dëmtua seriozisht falë ndihmës së parë që ia dha Senna.


“Unë nuk kam shumë kujtime nga ai moment, vetëm se kur i pash imazhet më vonë. Kujtesa ime u ndal disa sekonda pas përplasjes. Rrota e majtë e makinës u përplas me kokën time. Më hodhi jashtë si një KO në boks. Ayrton mbërriti me kohë dhe rrezikoi jetën e tij duke ndaluar garën. Erdhi afër meje dhe fiku motorin e makinës sime, para ndonjë shpërthimi apo djegie. Pas aksidentit ka pasur derdhje të lëndëve djegëse, kështu që rreziku ishte i lartë. Për disa sekonda ajo mund të kishte shpërthyer, kështu që Ayrton Senna më shpëtoi jetën”, ka thënë Erik Comas.

Edhe pse ishte një sportist me ndjenja dhe mirëbërës, vetëm 2 vite më vonë, Ayrton Senna pësoi një aksident tragjik, ku vdiq më 1 maj të 1994-ës. Vdekja e tij preku të gjithë botën dhe në veçanti Brazilin, të cilët mbajtën 3 ditë zie për legjendën e Formula 1./IndeksOnline/