12:19 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / AR

Bajqinovci reagon pas votimit të Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme

Kuvendi i Kosovës e ka votuar në shqyrtim të parë Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci përmes një shkrimi përmend lehtësirat për mërgimtarët.

“Me konsensus përtejpartiak, sapo e miratuam Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës në leximin e parë ku janë paraparë ndryshime thelbësore në funksion të përmirësimit së përfaqësimit të sovranit.

Po ashtu, bashkëkombasit tanë që jetojnë në diasporë do të jenë më shumë të lidhur juridikisht e politikisht me ne, duke ua mundësuar të votojnë në 3 mënyra: në ambasadën dhe konsulatën më të afërt në vendet ku jetojnë, dërgimi përmes postës në ambasadë apo konsulatë dhe përmes postës drejtpërdrejt në Kosovë, pa procedura burokratike siç ka qenë më parë”, thotë ai.

Tutje, deputeti thekson se me ndryshimet e iniciuara, do të rritet përgjegjësia e besimit qytetar që do të jetë pashkëputshëm në sinkron me kredibilitetin institucional.