10:10 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Bajqinovci thotë se “dostat” e linjës Prishtinë – Beograd, po improvizojnë tensione në komunat veriore

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci përmes një postimi tha se dostat e linjës Prishtinë – Beograd, po bashkërëndohen për të improvizuar tensione në komunat veriore të vendit për ta provokuar e shantazhuar qeverinë e Kosovës.

“Ky formacion, me Hashim Thaçin në krye, janë të tmerruar nga mbështetja plebishitare që populli po i jep Qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, andaj po bëjnë çdo gjë që është në dorën e tyre, për ta njollosur e devijuar kursin e saj për luftimin e hajnisë e fuqizimin e Republikës tonë me mirëqeverisje e vënie të rregullit, rendit e ligjit”, tha Bajqinovci, shkruan Indeksonline.

Postimi i plotë:

Ka indikacione se dostat e linjës Prishtinë – Beograd, po bashkërëndohen për të improvizuar tensione në komunat veriore të vendit me qëllim që të provokojnë dhe shantazhojnë Qeverinë më legjitime e më të përkushtuar që e ka pasur Kosova ndonjëherë. Të nderuar qytetarë, askush nuk duhet të shqetësohet nga këto lojëra e makinacione të grupeve të politikës së vjetër të Kosovës, që sëfundmi janë shndërruar në një formacion të vetëm politik. Ky formacion, me Hashim Thaçin në krye, janë të tmerruar nga mbështetja plebishitare që populli po i jep Qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, andaj po bëjnë çdo gjë që është në dorën e tyre, për ta njollosur e devijuar kursin e saj për luftimin e hajnisë e fuqizimin e Republikës tonë me mirëqeverisje e vënie të rregullit, rendit e ligjit. Askush nuk i beson më kastës që e prevenoi për shumë kohë zhvillimin e shpejtë politik, ekonomik e social të Republikës tonë.

Raportime të rrejshme e të pabazuara po sponsorizohen në përpjekje për ta vënë në vështirësi Qeverinë dhe z. Kurti.

Pas këtyre raportimeve, ka reaguar edhe Federata Europiane e Gazetarëve, e cila dënoi këtë qasje të dëmshme të disa mediave si RTK duke u bërë thirrje të përmbahen nga këto politika të shkaktimit të tensioneve etnike.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i EFJ Ricardo Gutiérrez ka deklaruar: “Duket qartë se disa politikanë, duke filluar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po përdorin krizën e koronavirusit për të ndezur tensione politike dhe sociale në interesin e tyre. Ne u bëjmë thirrje gazetarëve që të mos e luajnë lojën e tyre dhe të veprojnë në interes të publikut.

Qytetarë të nderuar, rrini të qetë, rrini nëpër shtëpitë tuaja dhe mos bini pre e gënjeshtrave djallëzore e qëllimkqija që mund t’u servohen këto ditë nga kastat e kaluara politike të kollapsuara. Qeveria dhe institucionet e vendit, do t’u informojnë për cdo zhvillim që ndodhë por jo për gënjeshtra që sajohen nga formacioni i ribashkuar në seancën e kaluar e i mbështetur nga Vuçiçi.