18:51 / E Martë, 11 Shtator 2018 / indeksADMonline

Bajrami: Ndryshimi i kufijve i rrezikshëm për Kosovën

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, e ka vlerësuar kërkesën e liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, porse ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka ligje të tjera për të cilat një ide e tillë mund ta çrregullonte Kushtetutën.

Këto deklarime Arsm Bajrami i bëri lidhur me idenë e Presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit të Kosovës me Serbinë.

”Kërkesa e liderëve dhe popullit të Luginës është legjitime. Ne e dijmë se ata kanë pasur dëshirë atë, por diçka tjetër janë ligjet. Ajo është legjitime që iu drejtohet Kuvendit të Kosovës, por Kuvendi i Kosovës ka ligjet e veta e një gjë e tillë do të çrregullonte komplet Kushtetutën e Kosovës. E ajo do të ishte absolutisht e rrezikshme për Kosovën dhe jo vetëm por edhe për rajonin”, tha Bajrami në Info Magazine të Klan Kosovës.

”Projekti i ndarjes dhe krijimi i shteteve etnike do të trazonte shtetet në Ballkan. Bashkimi Europian nuk ka kapacitet, sepse nuk mund të menaxhojë një situatë në të cilën do të kishte efekte në tërë rajonin sepse janë ngritur zërat skeptik”, tha ai.

”Kosova duhet të ketë qëllimet, sepse ajo nuk është e gatshme të bëjë më asnjë kompromis që do të dëmtonte esencialisht pavarësinë e saj”, tha Bajrami.