15:51 / E Premte, 28 Maj 2021 / Blerim

Balaj & Çekici në konferencë për media: Miqësoret, test i rëndësishëm para sfidave të shtatorit

Dy futbollistët e ekipit Kombëtar, Bekim Balaj dhe Endri Çekiçi kanë dalë ditën e sotme në një konferencë zyrtare për shtyp, në prag të dy ndeshjeve që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në transfertë në muajin qershor, ku fillimisht, kuqezinjtë do të përballen me Uellsin, më 5 qershor, ndërsa tre ditë më vonë do të luajnë kundër Republikës Çeke.

Teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, sulmuesi shkodran, Bekim Balaj u shpreh i lumtur që është bërë sërish pjesë e Kombëtares se këto dy miqësore janë një test i rëndësishëm për Kombëtaren, përpara ndeshjeve të shtatorit, ndërsa theksoi se Shqipëria duhet t’i marrë maksimumin këtyre dy ndeshjeve. Ai foli edhe se si e ka parë Kombëtaren e marsit, në tre ndeshjet e zhvilluara ndaj Andorrës, Anglisë dhe San Marinos, për ndeshjet e ardhshme të vlefshme për kampionatin Botëror si dhe për merkaton.

Rikthimi në Kombëtare dhe miqësoret–  Kënaqësi dhe vlerësim i madh për mua sa herë vesh fanellën e ekipit Kombëtar, sa herë që marr ftesën. Emocioni është i madh, si herën e parë që jam ftuar. Këto ndeshje, edhe pse miqësore, për ne kanë vlerësimin maksimal, pasi edhe kundërshtarët që luajmë, janë thuajse të ngjashëm me ata që kemi në grup dhe kundërshtarët tonë direkt si Hungaria dhe Polonia. Sigurisht, për të gjithë ne, këto ndeshje janë një test para këtyre sfidave dhe përqëndrimi dhe vlerësimi janë maksimal. Duhet të bëjmë më të mirën që të shohim, a jemi apo jo gati për këto dy ndeshje dhe për kundërshtarët që na presin.

Gjendja fizike – Ndihem mirë, e rëndësishme është që nuk kam asnjë dëmtim. Fundi i sezonit, jemi grumbulluar më herët, në mënyrë që të kemi ditë në dispozicion për stërvitje dhe të bëhemi gati në mënyrën më të mirë të mundshme për këto dy sfida.

Kombëtarja e marsit – Mendoj se është konsoliduar grupi pak a shumë. Ndryshimet nuk është se kanë qenë të mëdha. Kemi pasur dy kundërshtarë të lehtë dhe të kalueshëm në letër, siç edhe i morëm pikët maksimale me ato kundërshtarë. Ndeshja me Anglinë, ishte një ndeshje që ndoshta mendohej si e humbur, ashtu edhe ndodhi. Mendoj se deri diku, rezultati ishte i ngjeshur dhe mund të provonim ndoshta më shumë. Por ne nuk duhet të masim forcat me Anglinë, mendoj se sfida të vërteta për ne janë sfidat e ardhshme dhe kundërshtarët tanë direkt në grup. Shohim këto ndeshje dhe këtu duhet të përmirësohemi më shumë.

Sezoni i kaluar dhe e ardhmja – Ndihem shumë mirë, normalisht në futboll, luhatjet e formës, mundësitë e aktivizimit e këto janë thuajse gjithmonë. Unë jam i gatshëm, jo për një apo dy por edhe për më shumë sezone në kampionate të mira.

Ndeshjet e Botërorit – Duhet t’i marrim maksimumin këtij Botërori dhe sigurisht që jemi në lojë dhe ndeshjet dhe kundërshtarët tanë realë i kemi përpara. Të bëjmë më të mirën dhe të bindemi në qoftë se do jemi gati t’i marrim maksimumin këtyre ndeshjeve të Botërorit apo është thjesht një përgatitje për Europianin.

Merkato – Janë zërat e merkatos, të gjithë kanë të drejtën të flasin dhe të komentojnë por në planet e mia nuk është kthimi në Shqipëri për momentin.

Kundërshtarët e grupit të Botërorit – Polonia nuk është si Portugalia e atij viti që luajtëm, por që ndoshta mund të krahasohet me Anglinë e grupit tonë. Kështu që janë kundërshtarë që përballojnë, që do luajnë dhe mendoj që paraqitjet do të jenë të mira, por në fund do jenë pikët ato që do vlejnë më shumë.

Mesfushori Endri Çekici u shpreh i kënaqur që është pjesë e këtij grumbullimi, teksa foli për miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, duke theksuar se këto dy ndeshje do t’i shërbejnë ekipit Kombëtar për të parë ku duhet të përmirësohen si dhe u shpreh se do të japin maksimumin. Ai gjithashtu foli edhe për sezonin e kaluar në Turqi, me skuadrën e Ankaragücü.

Sezoni i kaluar në Turqi – Pa dyshim që më ka ndihmuar shumë ky sezon i parë në kampionatin turk pasi është një kampionat akoma më i fortë nga ato që unë kam luajtur më përpara. Por besoj se akoma edhe më shumë më ka ndihmuar të rritem në aspektin personal.

Pozicioni në Kombëtare – Gjatë gjithë sezonit, tek ekipi aktual unë luaja mesfushor qendre ose numër 10 kështu që besoj se edhe në Kombëtare, te treshja e mesfushës e gjej veten më mirë.

Miqësoret, test për t’u afirmuar si lojtar i Kombëtares? – Ky është qëllimi im. Në momentin që do më jepet mundësia, do të jap maksimumin që ta bind trajnerin që jam këtu për të ndihmuar ekipin.

Ndeshjet e marsit? – Ju thatë që ishin ndeshje me dy fytyra, por në fund ne bëmë detyrën tonë. Pritshmëritë i plotësuam, morëm 6 pikë në ato tre ndeshje, kështu që besoj se notën duhet ta japim pas këtyre dy ndeshjeve me kundërshtarët tanë direktë.

Sezon i lodhshëm për ne? – Edhe lojtarët e Uellsit dhe ata të Çekisë, pavarësisht se po përgatiten për Europian, vijnë pas një sezoni të gjatë si ne. Ata janë thuajse një nivel me Hungarinë dhe Poloninë dhe ne duhet të shikojmë veten se ku jemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë deri në momentin që do vijnë ato dy ndeshje.

Miqësoret? – Ne nuk nënvlerësojmë asnjë ekip, as ekipet që fituam ndeshjet e kaluara nuk i nënvlerësuam, kështu që kurrsesi nuk mund të nënvlerësojmë Hungarinë edhe Poloninë. Në këto ndeshje, pavarësisht rezultatit ne do japim maksimumin, që edhe në qoftë se diçka nuk shkon mirë, ta përmirësojmë kur në lojë të jenë pikët.

Biseda me trajnerin – Kur kam folur me trajnerin, ai më ka shpjeguar pak a shumë pozicionin që do nga mua, kështu që unë shpresoj ta ndihmoj ekipin dhe këtë ta tregoj në fushën e lojës.

E ardhmja – Ndihem mirë në Turqi, por futbollit nuk i dihet. Është merkato, kështu që mbetet të shohim.