18:23 / E Mërkurë, 22 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Baliq: Dënimi i Mlladiqit i mirëseardhur, por i vonuar

Përfaqësuesi i komunitetit boshnjak në Kosovë, Numan Baliq, e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Hagës, e cila ka dënuar me burg të përjetshëm, Ratko Mlladiq, udhëheqës i forcave serbe gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Pavarësisht se komuniteti boshnjak e ka mirëpritur këtë vendim, Baliq në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ky vendim është paksa i vonuar.

“Më në fund, pas 25 vjetësh, e kemi një vendim të merituar. E mira është se Mladiq është dënuar si kriminel. Është përgjegjës për krimet që ka bërë, është shpallur kriminel lufte për gjenocid”.

“Këto janë elemente të dënimit me të cilat jemi të kënaqur”.

“Ky dënim është i vonuar, por e gjithë bota e ka përshëndetur këtë akt. Çfarë kuptimi ka që njeriu të gjykohet pas 25 vjetësh prej kur ka kryer krimet?”

“Gjykimi ndaj tij ka zgjatur gati 7 vjet. Mlladiq është gjykuar veçanërisht për krimet në Srebrenicë. Nëse cenohet masa e një popullate në një rajon – në këtë rast, të popullit boshnjak – atëherë është fjala për një ushtrim gjenocidi nga ushtria serbe, nga ushtria e Millosheviqit”.

“22 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë është ironi të dënohet dorasi i veprës”.