13:10 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2018

Balje-Bytyqit: Pse vetëm serbët nga komunitetet në Kosovë punojnë pa nostrifikuar diplomat?

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje kërkoi të dijë pse vetëm serbët punojnë pa nostrifikim diplomash në Kosovë.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut ishte ftuar sot të raportojë ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi në lidhje me problemet e nostrifikimit të diplomave.

Kryetarja e komisionit Duda Balje tha se ministri ishte ftuar pasi një pjesëtar i komunitetit boshnjak kishte kërkuar shpjegime rreth nostrifikimit të diplomave.

Ministri Bytyqi tha se nëse bëhet fjalë për një profesor nga Peja, ka zhvilluar një takim me të.

“Nëse është kërkesa nga profesori i Pejës unë kam pasur takim me të. Me sa kam unë informatë profesorit i është gjetur një zgjidhje në vendin e punës”, tha ministri Bytyqi.

Balje më tutje kërkoi shpjegim nga ministri pse vetëm serbët nga komunitetet në Kosovë punojnë pa nostrifikuar diplomat.

“Ndoshta ju nuk keni diskriminim brenda zyrës po ka diskriminim në terren dhe këtu jam e bindur 100 për qind. Romëve, ashkalinjve dhe boshnjakëve u kërkohet nostrifikimi kur hyjnë në punë. Vetëm serbëve nuk u kërkohet nostrifikimi”, tha Balje.

Kryetarja e komisionit më tutje pyeti ministrin sa shqiptarë punojnë në Serbi me diploma të Kosovës.

“Ministër tregom sa shqiptarë të Kosovës punojnë me diplomë të Kosovës në Serbi. Asnjë. Sa serbë punojnë në Kosovë me diploma të Serbisë pa nostrifikim?”, pyeti Duda Balje.

Ministri nostrifikimin e diplomave me Serbinë e cilësoi çështje politike.

“Unë kam pasë takim direkt me ministrin e Serbisë për nostrifikim te diplomave. Nuk ka qenë gatishmëri e ministrit të Serbisë meqë ai e ka konsideruar çështje politike”, tha ministri Bytyqi.

Më tutje Duda Balje pyeti se a po zbaton Kosova reciprocitet në çështjen e nostrifikimit të diplomave, por ministri Bytyqi u përgjigj se çështja e reciprocitetit nuk është çështje e ministrisë.

Ministri tregoi se kur ka marrë detyrën ka pasur mbi 1 mijë aplikonte që prisnin përgjigje për nostrifikim diplomash.

Kumrije Gagica, drejtuese e Qendrës Kombëtare për Njohje të Diplomave NARIC Kosova tha se pranohen 1560 deri 200 kërkesa për nostrifikim në muaj.

Gagica tregoi se 46 aplikacione janë refuzuar në Bruksel. Kjo për shkak të mosakreditimit të programit, 12 aplikime janë refuzuar nga Beogradi, ndërsa 375 aplikime janë përfunduar.