09:37 / E Premte, 17 Nëntor 2017 / k.v

Balotazhi në Podujevë, VV-ja i futet e vetme garës

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit nuk kanë përcaktuar kryetarët për shumë komuna të Kosovës. Nga 38 komuna gjithsej, 19 prej tyre kanë shkuar në balotazh duke përfshirë këtu edhe komunën e Podujevës.

Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ajet Potera nga Lëvizja Vetëvendosje, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet të dielën, me 19 nëntor.

Potera i kontaktuar nga Indeksonline ka thënë se nuk ka nënshkruar ndonjë koalicion me asnjërën nga subjektet politike në Podujevë kurse koalicioni i vetëm që ata kanë është me qytetarin.

“Ne kemi biseduar me njerëzit e Komunës sonë që u kanë taku edhe subjekteve tjera, ose kanë qenë qytetar të thjeshtë apo edhe asamblist, ose kryetar të nëndegëve ose edhe i kemi njoft sepse komuna jonë ka njerëz që njihen edhe familjarisht, kemi bisedu edhe ata janë në gjendje me na përkrah po përndryshe kurrfarë koalicioni nuk kemi. Koalicioni i vetëm është koalicioni me qytetar dhe ndryshimin po dëshirojmë me marrë prej qytetarëve”, ka thënë Potera për Indeksonline.

Ai ka thënë se kanë zhvilluar vazhdimisht bisedime me qytetarët, pavarësisht subjektit politik që i takojnë dhe sipas tij ai dhe qytetarët kanë gjetur gjuhë të përbashkët.

“Kemi biseduar, kemi trajtuar problematikën dhe nevojën për ndryshim ku kemi hasur në gjuhë të përbashkët, por tash mbetet në vullnetin e tyre me vendos për ndryshim”, tha Potera.

Ai tha se nëse Agim Veliu votohet përsëri për Kryetar të Komunës së Podujevës, përgjegjësia i takon vetë qytetarit të kësaj komune.

“Nëse qytetarët vendosin me 19 nëntor për Agim Veliun atëherë ajo është përgjegjësi e qytetarit sepse ai e ka pa punën, qeverisjen dhe programin e Agimit kurse në rast se vendos për Lëvizjen Vetëvendosje dhe  Ajet Poterën, ne marrim përgjegjësi sepse qytetari nuk e njeh politikën tonë”, përfundoi ai.

Agim Veliu prinë me rreth 7 mijë vota para kandidatit të LVV-së, Ajet Potera./Indeksonline/